“Farë paqeje dhe shprese”
Të dashur vëllezër e motra!
Tema e kësaj Dite Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit, e zgjedhur nga Papa ynë i dashur Françesku, është: “Farë paqeje dhe shprese”. Në dhjetëvjetorin e themelimit të kësaj Dite, e cila përkon me botimin e enciklikës Laudato si’, ndodhemi në zemër të Jubileut, si “pelegrinë të shpresës”. Pikërisht në këtë kontekst, tema merr kuptimin e saj të plotë.
Në predikimin e Tij, Jezusi, kur flet për Mbretërinë e Hyjit, përdor shpesh imazhin e farës, dhe në prag të Mundimeve të Tij, e zbaton atë mbi veten, duke u krahasuar me kokrrën e grurit që duhet të vdesë për të dhënë fryt (krh. Gjn 12,24). Fara i dorëzohet tokës plotësisht, dhe aty, me forcën depërtuese të dhurimit të tij, lind jeta – edhe në vende krejt të papritura me një aftësi befasuese për lindjen e së ardhmes. Le të kujtojmë, për shembull, lulet që rriten buzë rrugës: askush nuk i ka mbjellë, por, falë farës që është gjetur të aty thuajse rastësisht, ajo rritet dhe zbukuron zymtësinë e asfaltit, madje thyen edhe sipërfaqen e tij të fortë.
Në Krishtin, pra, ne jemi farë. Jo vetëm farë, por “farë paqeje dhe shprese”. Siç thotë profeti Isaia, Shpirti i Hyjit mund ta shndërrojë shkretëtirën e thatë dhe të pafrytshme në një kopsht, në vend pushimi dhe paqeje: deri wë përseri mbi ne të dikohet Shpirti prej së larti. Atëherë shkretëtira në kopsht do të shndërrohet, edhe kopshti si pyll do të vlerësohet, në shkretëtirë do të banojë e drejta, në kopsht drejtësia do ta ketë sekinë. Fryti i drejtësisë – paqja do të jetë, rrjedhojë e drejtësisë qetësia, shpresë e sigurt për amshim. Populli im do të banojë në një vend paqeje, do të jetojë në banesa të qeta, në vende të sigurta” (Is 32, 15-18).
Këto fjalë profetike, të cilat që nga 1 shtatori deri më 4 tetor do ta shoqërojnë nismën ekumenike “Koha e krijimit”, dëshmojnë qartë se, përveç lutjes, nevojiten domosdoshmërisht vullnet dhe vepra konkrete, në mënyrë që kjo “butësia e Zotit” të ndjehet në botë (krh. Laudato si’, 84). Drejtësia dhe zakoni janë, në fakt, përgjigje ndaj ashpërsisë së shkretëtirës. Kjo është një thirrje tejet aktuale edhe sot. Në pjesë të ndryshme të botës tashmë është e dukshme se toka jonë po shkatërrohet. Padrejtësia, shkelja e të drejtës ndërkombëtare dhe e të drejtave të popujve, lakmia dhe, si pasojë, pabarazitë e përhapura kudo, po çojnë në shpyllëzime, ndotje të ambientit dhe humbje të biodiversitetit. Fenomenet ekstreme natyrore po bëhen gjithnjë e më të forta dhe më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore (krh. ekshortata apostolike Laudate Deum, 5), pa përmendur pasojat afatmesme dhe afatgjata të shkatërrimit njerëzor dhe ekologjik që shkaktojnë konfliktet e armatosura.
Si të mos kishim ende ndërgjegje për faktin se shkatërrimi i natyrës nuk i godet të gjithë në mënyrë të barabartë: kur shkelet drejtësia dhe paqja, të parët që pësojnë janë më të varfrit, zë anashkaluarit dhe të përjashtuarit. Si shembull mund të përmendet vuajtja e komuniteteve indigjene (autoktone).
Por nuk mbaron këtu: edhe vetë natyra shpesh bëhet objekt tregtie, një mall që shitet për të përfituar në mënyrë ekonomike ose politike. Në këto procese të vrullshme, bota e krijuar kthehet në një fushë beteje për kontrollin mbi të mirat jetësore, siç dëshmojnë tokat bujqësore dhe pyjet që janë kthyer në zona të minuar, politikat e “tokës së djegur,” konfliktet që lindin për shkak të burimeve ujore dhe shpërndarja e padrejtë e të mirave, që ndëshkon popujt më të dobët dhe minon vetë stabilitetin shoqëror.
Këto plagë të ndryshme janë pasojë e mëkatit. Kjo nuk është aspak ajo që Hyji kishte parashikuar kur ia besoi tokën njeriut, të krijuar në përngjasimin e vet (krh. Zan 1, 24-29). Bibla nuk e përkrah “një sundim mizor të njeriut mbi krijimin” (Laudato si, 200). Përkundrazi: “është e rëndësishme të lexohen tekstet biblike në kontekstin e tyre, me interpretim interpretim të drejtë, dhe na përkujtojnë se ato na thërrasin ‘ta ruajmë dhe ta punojmë’ kopshtin e botës (krh. Zan 2,15). Ndërsa ‘ta punojmë’ do të thotë ta lërojmë dhe ta përpunojmë tokën, ‘ta ruajmë’ do të thotë të kujdesemi, të mbrojmë, të vëzhgojmë dhe të jemi vigjilentë. Kjo nënkupton një marrëdhënie të ndërsjellë përgjegjëse ndërmjet njeriut dhe natyrës” (po aty, 67).
Drejtësia ndaj ambientit të cilën profetët e shpallën në mënyrë të tërthortë nuk mund të shihet më si një ide abstrakte apo një qëllim i largët. Ajo është një domosdoshmëri urgjente që shkon përtej thjesht mbrojtjes së ambientit. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një çështje drejtësie shoqërore, ekonomike dhe antropologjike. Për besimtarët, kjo është gjithashtu një kërkesë teologjike, që për të krishterët merr fytyrën e Jezu Krishtit, në të cilin gjithçka është krijuar dhe shëlbuar. Në një botë ku më të pambrojturit janë më të ekspozuarit ndaj pasojave shkatërruese të ndryshimeve klimatike, shpyllëzimit dhe ndotjes, kujdesi për krijimin bëhet një shprehje e besimit dhe e dashurisë për njeriun.
Ka ardhur me të vërtetë koha që të kalojmë nga fjalët në vepra. “Të jetosh thirrjen për të qenë rojtarë të veprës së Hyjit është një pjesë thelbësore e jetës së virtytshme; nuk është thjesht një aspekt i mundshëm ose dytësor i përvojës sonë të krishterë” (po aty, 217). Nëpërmjet një angazhimi të përkushtuar dhe plot dhembshuri mund të mbillen shumë fara drejtësie, duke kontribuar kështu në paqe dhe shpresë. Ndonjëherë duhen vite që një pemë të japë frytet e saj të para, vite në të cilat gjithë ekosistemi përfshihet në vazhdimësi, besnikëri, bashkëpunim dhe dashuri veçanërisht kur kjo dashuri bëhet pasqyrë e dashurisë flijuese të Hyjit.
Ndër nismat e Kishës, që janë si fara të mbjella në këtë fushë, dëshiroj të përmend projektin Borgo “Laudato si,” që Papa Françesku na e ka lënë trashëgimi në Castel Gandolfo, si një farë që mund të japë fryte drejtësie dhe paqeje. Ky është një projekt edukativ në shërbim të ekologjisë gjithpërfshirëse, që mund të shërbejë si shembull për mënyrën se si njerëzit mund të jetojnë, punojnë dhe ndërtojnë bashkësi duke zbatuar parimet e enciklikës “Laudato si.”
I lutem të Gjithëpushtetshmit që të na e dërgojë me bollëk “Shpirtin e tij nga lart” (Is 32,15), që kjo farë dhe shumë të tjera si ajo, të japin fryte të bollshme paqeje dhe shprese.
Enciklika “Laudato si” tashmë dhjetë vjet e shoqëron Kishën Katolike dhe shumë njerëz vullnetmirë: le të na frymëzojë ajo ende, dhe le të pranohet gjithnjë e më shumë ekologjia gjithpërfshirëse si rruga e vërtetë që duhet ndjekur. Kështu do të shumohen farat e shpresës, që duhen “ruajtur dhe kultivuar” me hirin e Shpresës sonë të madhe dhe të palëkundur: Krishtit të Ngjallur.
Në emër të Tij, ju përcjell bekimin tim të gjithëve.
Nga Vatikani, më 30 qershor 2025, në përkujtim të shenjtërve martirë të parë të Kishës së Romës.
Papa Leoni XIV
