Hyrje
Sivjet kremtohet 115 vjetori i lindjes e Shën Nënës Tereze të Kalkutës, e cila lindi më 26 gusht 1910. E tërë bota e kremton këtë përvjetor të kësaj gruaje të vogël, në të cilën ishte zemra e cila “digjej për ta dashur Jezusin si askush më parë” (Nga letra e Nënës Terezë drejtuar arqipeshkvit Ferdinand Perier-it, 25 janar 1947).
Shën Nëna Terezë ishte e vogël me trup, por zemra e saj ishte aq e madhe për t’i dashur të gjithë pa dallim: i deshi të varfëritë e botës me dashuri të jashtëzakonshme, sepse dëshironte t’i donte të gjithë me dashurinë e Zotit, me dashuri dhe dhembshuri të Jezusit.
Për 115 vjetorin e lindjes së saj do ta zbërthej citatin e Nënës Tereze duke u munduar ta shpjegoj dhe interpretoj atë.
Tashmë kemi biblioteka të tëra, shkrime, albume mbi jetën dhe veprën e së Shën Terezë në të gjitha gjuhët dhe viset e botës. Mendoj se ia vlen të thellohemi në Shpirtin dhe Karizmën e saj për të zbuluar horizontet e pabesueshme që na ka dhuruar vetë Jezusi neve, Kishës dhe botës.
Jeta e saj, fjalët dhe veprat e saja nuk janë të kufizuara në kohë apo hapësirë. Jezusi i tha të Shën Terezës: “Vogëlushja ime, eja e ji drita ime”, që me fjalë tjera domethënë: eja dhe ji llamba ime. Ne e dimë se llamba nuk ndriçon vetvetiu dhe nuk bën dritë pa rrymë.
Shën Nëna Terezë ishte e thjeshtë, sepse e dinte si ishte llambë nëpërmes të cilës mund të ndriçonte Jezusi botën tonë të errët.
Një ndër biografët e së Shën Nënës Terezë shkruante kështu: “Në një periudhë të errët ajo ishte drita që ndriçonte dhe rrezatonte; në një periudhë të pamëshirshme, ajo ishte mishërimi i Ungjillit të dashurisë së Krishtit; në një periudhë pa Zot, Fjala e Tij banoi në mesin tonë plotë me të vërtetë dhe me dashuri. Shi për këtë të gjithë ata që kanë pasur privilegjin e paçmueshëm për ta njohur atë, duhet të jenë gjithë jetën të falënderueshëm” (Malcom Maggeridge).
“Me gjak jam shqiptare”
Askush, përpos Jezusit, nuk e ka zgjedhur vendlindjen, prindërit, prejardhjen, gjuhën.
Krijuesi, Ati ynë i mirë, i ka zgjedhur këto për ne, me një qëllim dhe plan të përfikët. Nuk ka rëndësi ku kemi lindur dhe cila është gjuha jonë amtare. Ka rëndësi si jetojmë. Si njerëz duhet mbi të gjitha ta mësojmë dhe zbatojmë gjuhën e dashurisë, gjuhë amë për mbarë njerëzimin.
Shën Tereza e Kalkutës, Gonxhja, lindi nga prindërit shqiptarë në Shkup, nga Kolë Bojaxhiu dhe Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu. Ishin të pasur jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht. Ishte një familje e lumtur, e cila e druante dhe nderonte Zotin. Ajo e kishte një motër, Agen, pesë vjet më e madhe se Gonxhja. I shkruante një bashkëpunëtori kështu: “Motra ime Agia u lind më 6 mars 1905”. Vëllai i saj kishte lindur më 24 gusht 1908 dhe ka vdekur në Palermo më 2 korrik 1981. Gonxhja ishte më e vogla nga pesë fëmijët e familjes Bojaxhiu, dy prej të cilëve kishin vdekur fill pa lindjes. “Mu për këtë Gonxhja qe pagëzuar një ditë pas lindjes”, shpjegonte Lazri.
Baba Kolë iu thoshte fëmijëve kështu: “Mos harroni bijtë e kujt jeni!”. Ishte njeri bujar, shpërndante ushqim, para dhe veshmbathje të varfërve pa e ditur gati askush. Shtëpia e tyre ishte e hapur sidomos për të varfër. I thoshte Gonxhes së vogël kështu: “Bija ime, mos e ha asnjë kafshatë pa e ndarë me të tjerët!”.
Një fjalë e urtë thotë: “Si janë prindërit, ashtu edhe fëmijët”. Kola dhe Drana ishin bujarë dhe punëtorë të mëdhenj, me plotë dashuri dhe kujdes për njëri-tjetrin.
Nëna Drane i shkruante bijës, tashmë motrës Tereze te “Motrave të Loretos” kështu: “Bija ime, mos harro se ke shkuar në Indi për t’i ndihmuar të varfëritë. A të kujtohet Filja? Është plotë me varrë, por ajo që e mundonte edhe më tepër së varret, ishte braktisja, ishte e vetmuar në botë. Kemi bërë çka kemi ditur dhe mundur. Gjëja më e vështirë nuk janë varret, por fakti që familja e kishte lënë tërësisht të braktisur” (Drane Bojaxhiu, 1937).
Familja Bojaxhiu ishte shembullore, ndërsa shtëpia e tyre ishte shkolla e parë për fëmijë, e prindërit ishin mësuesit e parë me jetë dhe me shembull. Jeta e njeriut në këtë botë është një mister. Vuajtjet, dhembjet, vdekja është e paevitueshme, edhe pse ka edhe gëzime të shumta. Edhe familja e Kolë Bojaxhiut nuk ishte përjashtim në këtë. Kur Gonxhja ishte afro 9 vjeçare, babai i mrekullueshëm Kola vdiq papritmas, duke i lënë në dhembje më të dashurit. Vdekja e tij kishte krijuar një zbrazëti të madhe, mirëpo Drana, grua me fe të madhe dhe guxim të pashoq, kishte vendosur t’i rriste dhe edukonte fëmijët. I kishte edukuar nëpërmjet shkollimit, mbi të gjitha në fenë dhe dashurinë e krishterë.
Ndikim të madh në jetën e Gonxhes, përpos familjes, kishte Kisha Katolike. Meshtarët e famullisë ishin jezuitët që kishin shpirt misionar. Shën Nëna Terezë më vonë do të thoshte kështu: “Edhe pse kam vijuar shkollën shtetërore, familja ime dhe meshtarët ma kanë dhënë një edukim të mirë fetar”. Gonxhja, pra, ishte rritur dhe edukuar në një ambient fetar, e udhëhequr nga priftërinjtë e famullisë, sidomos nga atë Franjo Jambrekoviqi. Luteshin për misione, mblidhej lëmosha për të varfër, vizitoheshin të sëmurët dhe të varfëritë, flitej dhe shkruhej për të gërbulur. Në këtë atmosferë ajo dëshironte të bëhej misionare e madhe dhe e shenjtë, sidomos duke lexuar “Misionet Katolike” nga Kroacia, dhe “Lajmi i Mirë” që botohej në Shkup.
Në moshën 18 vjeçare kishte vendosur të shkonte në misione në Indi dhe shi për këtë e kishte shkruar kërkesën “Motrave të Loretos” në Indi, si vijon: “Ju lutem që të jeni e dashur dhe ta dëgjoni dëshirën time të sinqertë. Dua të hyj në Kongregatën tuaj për t’u bërë një ditë motër misionare e për të punuar për Jezusin i cili ka vdekur për të gjithë ne. Kam përfunduar vitin e pestë të shkollës së lartë; prej gjuhëve njoh gjuhën shqipe, e cila është gjuha ime amë, serbo-kroatishten /gjuhën e cila mësohet në shkollë/ dhe pak gjuhën frëngjishte. Nuk e njoh aspak gjuhën anglishte, por shpresoj se Zoti i Mirë do të më ndihmojë që ta mësoj aq sa më duhet, dhe mu këto ditë kam filluar ta mësoj këtë gjuhë. Nuk shtroj kurrfar kushti të veçantë, dua që të jem në misione, dhe për çdo gjë tjetër, lëshohem tërësisht në vullnetin e Zotit të Mirë”. Shkup, 28 korrik 1928”.
Ishte shumë vështirë për nënën Drane, për shokë dhe miq, që të ndaheshin prej Gonxhes, sepse atë e donin të gjithë, ishte “shpirti dhe zemra e famullisë dhe e rinisë katolike në Shkup”. Më 25 shtator 1928 rinia ishte mbledhur në Rruga Vlashka, në Shkup, ku banonte familja Bojaxhiu. Askush nuk kishte ardhur duarthatë: me ndonjë dhuratë dhe dëshirë në zemër, mbrëmje me shumë emocione për të gjithë, sidomos për familjen e saj dhe për atë. Së fundi më 26 shtator Gonxhja së bashku me Agen dhe Dranen u nisen me tren për Zagreb, ku priten edhe ardhjen e kandidates sllovene Betilka Kanjc. Pas disa ditëve vazhdoi udhëtimin për Irlandë. Pas një kohës së kaluar në Ratferharm, më 1 dhjetor u nisen me anije për Indi, Kalkutë, ku arritën me 6 janar 1929, ditën e Dëftimit, ku ajo do të bëhej drita më e madhe e dashurisë së Zotit për kohën tonë.
Më 23 maj 1929 Gonxhja e filloi noviciatin duke e marrë emrin e Shën Terezës së Jezusit Fëmijë dhe duke iu kushtuar Zotit në tërësi. Ishte e lumtur dhe iu nënshtrohej të gjitha rregullave dhe shpirtit të jetës dhe përkushtimit rregulltar, e hapur ndaj bashkësisë, e përpiktë në uratë dhe detyra, në përgatitje të thellë shpirtërore për t’u ballafaquar më vonë me shumë të liga të botës së të varfërve, të sëmurëve, të gjithëve. Dy vitet e rishtarisë kaluan shpejt dhe kur arriti dita e kushteve të para rregulltare, ishte shumë e lumtur që t’i dhurohej plotësisht të Fejuarit – Jezusit. Kushtet e para i dha më 24 maj 1931 në rregullin e Motrave të Loretos; të përjetshmet me 24 maj 1937, dhe prej asaj dite asgjë dhe askush nuk do ta ndante më prej dashurisë së Jezu Krishtit / krh. Rom 8, 35-39/. Ajo do të dëshmonte kështu: “Asgjë dhe askush nuk më ka ndarë kurrë prej dashurisë së Jezusit”. Edhe pse “Nëna Loke” dhe Agia ishin transferuar në Tiranë, në Shqipëri, për shkak të punësimit të Lazrit në Akademinë Ushtarake në Tiranë, Nëna Terezë nuk pati mundësi ta vizitonte Shqipërinë deri në gusht të vitit 1989. Nëna Drane vdiq në Tiranë më 12 korrik 1972, Agia dy vite më vonë, në vitin 1974. Shën Nëna Terezë kishte bërë gjithçka ishte e mundshme për ta vizuar nënën dhe motrën, mirëpo kjo ishte e pamundshme për shkaqe
politike. Në një letër që ma kishte dërguar më 14 gusht 1979 Nëna Terezë ndër të tjera më shkruante kështu: “Nëna ime nuk më ka parë për 46 vjet. Disa muaj para se të vdiste vazhdonte të më thërriste, dëshironte të më shihte, isha bija e saj e vogël. Pasi që Shqipëria ishte ajo që ishte, nuk iu lejonte asnjë qytetari të Indisë për ta vizituar atë vend. Mund të shkoja aq afër, mirëpo jo edhe deri te ajo. Ajo kishte vdekur duke e shqiptuar emrin tim…”. Nëna Terezë mbeti qytetare e Indisë deri në kalimin e saj në amshim.
“Me nënshtetësi, indiane”
Natën e pavarësisë së Indisë, të enjten më 14 gusht 1947, Pandit Jawahaelal Nehru tha para Asamblesë Kushtetuese të Indisë në Nju Delhi kështu: “Para shumë viteve e kemi bërë një marrëveshje me fatin i cili sot është fatbardhësi… Pikërisht në mesnatë, kur mbarë bota është në gjumë, India do të zgjohet në jetë dhe në liri. Erdhi çasti, çast i rrallë në jetë, në të cilin përfundon një epokë, dhe një popull i shtypur gjatë, përjeton një epokë të re..”.
Më 25 gusht 1947 India e fitoi pavarësinë nga Anglia, e cila e kishte sunduar qysh nga viti 1757, ndërsa Kalkuta ishte kryeqyteti i Indisë deri në vitin 1911.
India kishte kërkuar lirinë qysh nga viti 1857, por nuk e kishte arritur. Zoti e kishte zgjedhur një njeri me fe të madhe, me virtyte të larta morale dhe fetare, Mohan Das Karma Chadra Gandhi, i cili nëpërmjet uratës, pendesës, me metodologjinë paqësore dhe jo dhunore, arriti lirinë nga anglezët, por pati shumë vështirësi. Pas pavarësisë qeveria e Indisë ua mundësonte të huajve që kishin jetuar pesë apo më shumë vite në Indi që ta merrnin nënshtetësinë indiane. Shën Nëna Terezë ishte ndër të parat që kishte kërkuar këtë, dhe e kishte fituar një vit më vonë, në vitin 1948. Qeveria e Indisë Nënës Terezë ia kishte dhënë shumë mirënjohje dhe shpërblime për shërbimin e saj shembullor ndaj të varfërve, pa dallim kaste, ngjyre, feje, kombi: Në prill të vitit 1962, e Shën Nëna Terezë mori nga Presidenti i Indisë, Rajendra Presad, shpërblimin “Padma Shri”. “ Në nëntor të vitit 1972 mori shpërblimin “Pandit Jawaharlal Nehru”, për mirëkuptimin ndaj të gjithë popujve. Po ashtu në vitin 1972, mori shpërblimin e doktoratit “ad honorem” nga Shantiniketan, në Bengalinë perëndimore.
Më 22 mars 1980, mori shpërblimin ““Bharat Ratna”, “ Perla e Indisë”, shpërblimi më i lartë i këtij vendi. Më 13 shtator 1997 e Shën Nëna Terezë pati varrosjen shtetërore, nderim ky që kurrë më parë nuk iu kishte bërë ndonjë motrës rregulltare katolike. Dashuria nuk mund të mposhtet as të fitohet, por ajo i përfiton të gjithë. Fuqitë e mëdha ushtarake dhe politike përkulen para dashurisë. Jeta e Nënës Terezë ishte mishërimi i dashurisë së Zotit për njerëzimin. India është shumë krenare me Nënën Terezë të Kalkutës: mbarë popullata atë e nderon dhe çmon, sidomos në këtë përvjetor të lindjes së saj.
“Për sa i përket besimit, jam murgeshë katolike”
Qysh në marrjen e Kungimit të Parë ajo pati një “miqësi” dhe dashuri të jashtëzakonshme me Jezu Krishtin. Ja fjalët e saja: “Qysh në moshën pesë vjet e gjysmë kur e pranova Atë (Jezusin) për herë të parë, dashuria për shpirtra kishte depërtuar në brendinë time. Ajo dashuri është rritur gjatë viteve, deri sa nuk erdha në Indi me shpresë për të shpëtuar shumë shpirtra”. Sipas Shën Nënës Terezë aty ishte edhe fara e thirrjes rregulltare, që “të bëhej motër misionare për të punuar për Jezusin, I cili ka vdekur për të gjithë ne”. Nëna Terezë kurrë nuk ishte turpëruar në dëshmimin e fesë së krishterë me fjalë dhe me vepra, as për petkun rregulltar të “Misionareve të Dashurisë”. Ajo kurrë nuk ka dyshuar në jetën e kushtuar: ishte tërësisht e Krishtit, dhe me Të e nëpërmjet Tij, i dhurohej të varfërve ndër më të varfër duke rrezikuar edhe jetën e saj. Jezusi e kishte ftuar kështu: “Eja, voglushja ime, më bart në “skutat” e të varfërve. Eja, ji Drita ime. Nuk mund të shkoj vetëm… Eja, shko në mesin e tyre, më bart nëpërmjet jetës tënde tek ata. Sa dëshiroj të hyjë në “skutat” e tyre, në shtëpitë e tyre të errëta dhe pa fat. Eja, ji flijimi i tyre!… Mos ke frikë: Unë jam në ty, me ty dhe për ty…” (Nga letra e Shën Nënës Terezë, 3 dhjetor 1947). Feja e Nënës Terezë ishte heroike: dëshironte ta dashuronte dhe t’i shërbente Jezusit në të varfëritë e më të varfërve si kurrë më parë. Dashuria e saj për Jezusin ishte e plotë, pa kusht, me tërë zemrën dhe në mënyrë të hareshme. Ajo shkruante kështu: “ Në vitin 1942 dëshiroja t’i dhuroja Jezusit diçka pa asnjë rezervë. Me lejen e rrëfyesit tim e bëra një njet, i cili më lidhë me mëkat të vdekshëm, që t’i dhuroja Atij çdo gjë që do të më kërkonte: mos t’i refuzoja asgjë!”.
Disa ditë para vdekjes së Shën Nënës Terezë, një nga motrat e grupit të parë, kishte vërejtur Nënën Terezë si lutej para figurës së Jezusit kështu: “E pashë Nënën në vetmi, para figurës së Fytyrës së Shenjte të Jezusit, deri sa thoshte kështu: “Jezu, kurrë nuk të kam refuzuar asgjë” (nga dëshmia e motrës Margaret Mary, M.C.).
Duke i shkruar arqipeshkvit të Kalkutës, Nëna Terezë shprehej kështu: “Gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë viteve (1959) kam kërkuar… kam kaluar sprova të rënda shpirtërore, por sa i përket thirrjes rregulltare, të gjitha ia kam treguar atë Van Exemit S. J….”
“Sipas thirrjes, i përkas botës”
Shën Nëna Terezë gjithnjë e kishte përjetuar jetën rregulltare apo “thirrjen në thirrje” si Misionare e Dashurisë, sidomos për të varfëritë ndër më të varfër, nën mbrojtjen e Marisë. Ajo kishte jetuar në botën e vuajtjeve të mëdha dhe e kishte bashkëndarë dhembjen dhe vuajtjen me të gjithë. Në një letër ajo shkruante kështu: “Para tri dite e kemi ndihmuar një person e cila ishte plotë me krimba. Agonia e kryqit ishte e pranishme në fytyrën e tij. Sa e tmerrshme është varfëria, nëse nuk ka dashuri!.. Pasi e pastruam, ai kishte kërkuar një cigare, dhe ia mrekullia, një njeri i pasur më kishte dhuruar dy paqeta të cigareve më të mira. Zoti ishte kujdesur për këtë njeri të mjerë… Përse po i shkruaj këto gjëra marroqe, ndërsa Ju merreni me gjëra më të rëndësishme? Sepse është nëni i parë i “Besojmës” së të varfërve” (Nëna Terezë, 13 tetor 1965). Edhe mua në takimin tim të parë me të, më 30 nëntor 1966, e Shën Nëna Terezë më tha që vepra e Misionareve të Dashurisë nuk ishte ndonjë vepër sociale, por vepër e Zotit. Atëherë nuk e kuptoja dallimin, por tani e di mirë. Bota e Nënës Terezë nuk ishte vetëm Kalkuta, por mbarë India, bota. Tash Misionaret e Dashurisë janë të pranishme në 137 shtete në botë, duke përfshirë Siberinë, Islandën, Mongolinë, Zelandën e Re, prej Veriut e deri në Jug, kudo në botë. Shpesh e përsëriste këtë porosi: “Të varfër ka kudo, nëse keni sy për të parë”. Pastaj është edhe varfëria e tmerrshme shpirtërore. Ajo thoshte: “Sëmundja më e rëndë nuk është tebeceja apo kanceri, por mungesa e dashurisë, dëbimi dhe vetmia. Sprovat dhe tundimet nuk janë asgjë tjetër përpos puthja e Jezusit: shenja se je afër Jezusit aq sa Ai të përqafon. Mos u frikëso. Kongregata e vogël duhet ta imtojë Mësuesin për ta shpërblyer botën” (nga letra e Nënës Tereze atë Sebastianit, M.C.).
“Zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit”
Në gjuhën biblike “zemra” është qendra e njeriut, ku gërshetohet arsyeja, vullneti, ndjenjat, liria, ku njeriu e gjen përcaktimin jetësor. Sipas Shën Mateut (5, 8) zemra e pastër është ajo që bashkohet në njësi të përsosur me Hyjin dhe shi për këtë e “sheh Zotin”, është e gatshme, si Zoja e Bekuar të thotë gjithnjë: u bëftë vullnesa jote!
Në një letër dërguar atë Neuner-it më 24 korrik 1967 Nëna Terezë shkruante kështu: “Atë, a mund të më shpjegoni, kur të keni kohë, si mund të rritet bashkimi i thellë personal i zemrës së njeriut me Zemrën e Krishtit? Qysh nga fëmijëria Zemra e Krishtit ka qenë dashuria ime e parë. Çdo e premte është për mua festa e Zemrës së Krishtit. E dua Meshën e Zemrës së Krishtit, sepse fjalët e paraqitjes së dhuratave përsëriten me ato të 10 shtatorit: “A do të bësh këtë për Mua?”. “Misionaret e Dashurisë janë vepra e tij. Unë vetëm e kam pranuar që të bëja këtë për Atë. Jam munduar që ta zbatoja planin e Tij deri në fjalën e fundit…”. Jezusi i kishte thënë Nënës Terezë: “Mos ke fikë, Unë do të jam gjithmonë me ty. Ki besim në Mua me dashuri, dorëzohu Mua verbërisht…”. Dashuria e sinqertë e Nënës Terezë për Jezusin, Bukën e Jetës dhe shërbim falas ndaj të varfërve ndër më të varfër, ishin për atë dy pamjet e të njëjtin realitet. Dashuria e saj për Jezusin rritej nëpërmjet dashurisë për njeriun: çdo ditë e donte me tërë zemrën, me terë shpirtin, mendjen, si vetveten… bile e dhe më tepër se vetveten.
Përfundimi
Të shtunën, më 6 shtator 1997, Agjencia CNN më pyeti: Nëna Terezë ka vdekur, çka do të ndodhë tani me Misionaret e Dashurisë? Do të vazhdojnë në të njëjtën mënyrë, duke shërbyer falas dhe me zemër të plotë? Çka do të ndodhë nëse nuk do të merrni më ndihma dhe nuk do të keni thirrje? Disa orë pas vdekjes së Nënës Terezë shumë njerëz kanë menduar se tashmë familja e madhe e Misionareve të Dashurisë kishte përfunduar. Fatbardhësisht nuk ndodhi ashtu! Edhe Nënën Terezë e kishin pas pyetur sa ishte gjallë kështu: “Nëna Terezë, çka do të ndodhë me Kongregatën kur Ju nuk do të jeni më gjallë?”. Përgjigjia e saj ishte: “Më lejoni të vdes. Nëse Zoti do të gjejë ndonjë person të mjerë si unë, edhe nëse nuk do ta gjente ndonjë edhe më të mjerë, do ta përdorë për ta vazhduar veprën e Tij. Nuk kam frikë.
Shpresoj në Të, sepse është vepra e Tij e jo e imja”. Edhe përgjigjia ime ishte shumë e thjeshtë: Po, Nëna Terezë ka vdekur, por Zoti nuk vdes. Dashuria nuk vdes. Ajo na thoshte shpesh kështu: kur do të kthehem në Shtëpinë e Atit, do t’iu ndihmoj shumë më tepër! Shën Nëna Terezë shtegtonte dhe vepronte gjatë tërë jetës me Jezusin, ajo vazhdon udhëtimin e saj në qiell duke bërë vepra të mira në tokë, si pajtorja e saj, Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, e cila thoshte pa fije dyshimi se qielli i saj do të ishte të bënte mirë në tokë.
Zoti ju bekoftë!
(*) Atë Sebastian Vazhakala, meshtar indian, së bashku me Nënën Terezë është bashkëthemelues i Misionarëve të Bamirësisë.
