U botua sot Nxitja e parë Apostolike e Papës Leoni XIV
Papa Leoni XIV nënshkroi nxitjen e tij të parë apostolike “Dilexi te”, në të cilën, në 121 pika, përmbledh mësimin e Kishës mbi shërbimin ndaj të varfërve gjatë 150 viteve të fundit. Ne veçojmë pesë tema qendrore.
Nxitjen apostolike “Dilexi te” e kishte filluar ta shkruante Papa Françesku. Papa Leoni XIV – i cili, si rregulltar dhe më vonë si ipeshkëv, iu kushtua veprimtarisë misionare dhe humanitare me të varfërit në Peru, duke lejuar që të ishin ata që ta ungjillëzonin atë – e vazhdoi idenë e Papa Françeskut dhe e nënshkroi dokumentin e përfunduar në festën e Shën Françeskut të Asizit, më 4 tetor.
Të enjten, më 9 tetor, ajo iu paraqit besimtarëve.
Nxitja e parë apostolike e Papës Leonit XIV, “Dilexi te”, zbulon lidhjen e saj të ngushtë me “Dilexit nos”, enciklikën e fundit të Papa Françeskut, dhe përfaqëson, në njëfarë kuptimi, vazhdimin e saj. Nuk është një tekst mbi doktrinën shoqërore të Kishës, as nuk analizon çështje të veçanta.
Përkundrazi, ajo vendos vetë themelet e zbulesës, duke theksuar lidhjen e fortë ndërmjet dashurisë së Krishtit dhe thirrjes së Tij për t’u afruar me të varfërit.
Nxitja e parë apostolike e Papës Leonit XIV, “Dilexi te”, zbulon lidhjen e saj të ngushtë me “Dilexit nos”, enciklikën e fundit të Papa Françeskut, dhe përfaqëson, në njëfarë kuptimi, vazhdimin e saj. Nuk është një tekst mbi doktrinën shoqërore të Kishës, as nuk analizon çështje të veçanta.
Përkundrazi, ajo vendos vetë themelet e zbulesës, duke theksuar lidhjen e fortë ndërmjet dashurisë së Krishtit dhe thirrjes së Tij për t’u afruar me të varfërit.
Roli qendror i dashurisë ndaj të varfërve është, në të vërtetë, në zemrën vetë të Ungjillit dhe, për këtë arsye, nuk mund të hidhet poshtë si një temë e dashur për disa papë ose rryma teologjike, as të paraqitet si një pasojë thjesht shoqërore apo humanitare jashtë fesë së krishterë dhe shpalljes së saj.
Ta lexojmë sërish Ungjillin.
“Dashuria ndaj Zotit… është e bashkuar me dashurinë ndaj të varfërve,” shkruan Papa Leoni XIV. Prandaj, ato janë të pandashme: Jezusi thotë: “Çfarëdo që t’i keni bërë njërit prej këtyre vëllezërve e motrave të mi më të vegjël, mua ma keni bërë.”
Kjo nuk është çështje e një mirësjelljeje thjesht njerëzore, por e zbulesës: takimi me ata që janë të përvuajtur dhe të pafuqishëm është mënyra themelore e takimit me Zotin e historisë.
Papa vëren se, për fat të keq, edhe të krishterët rrezikojnë “t’i nënshtrohen” qëndrimeve botërore, ideologjive dhe qasjeve mashtruese politike ose ekonomike.
Papa vëren se, për fat të keq, edhe të krishterët rrezikojnë “t’i nënshtrohen” qëndrimeve botërore, ideologjive dhe qasjeve mashtruese politike ose ekonomike.
“Fakti që disa i hedhin poshtë ose i tallin veprat e bamirësisë, sikur të ishin një mani e disa vetave, e jo zemra e zjarrtë e misionit të Kishës,” shkruan Papa Leoni, “më bind për nevojën që të kthehemi dhe ta rilexojmë Ungjillin, në mënyrë që të mos rrezikojmë ta zëvendësojmë atë me mençurinë e kësaj bote.”
5 temat qendrore
1. Besimi dhe të varfërit
Besimi nuk mund të ndahet nga dashuria për të varfërit. Dashuria e Krishtit mishërohet në dashurinë për të varfërit. Përmes tyre, Zoti “vazhdon të na flasë”.
Strukturat e padrejtësisë duhet të shkatërrohen me forcën e së mirës.
2. Ekonomia dhe padrejtësia
Fytyra e plagosur e të varfërve është vuajtja e të pafajshmëve (9). Dokumenti dënon “diktaturën e ekonomisë që vret” (92) dhe kulturën e përjashtimit që lejon miliona njerëz të vdesin nga uria (11).
Mungesa e drejtësisë është rrënja e së keqes shoqërore (94). Të drejtat e njeriut ende nuk respektohen në mënyrë të barabartë për të gjithë.
3. Emigrantët dhe skllavëria
Kisha, si një nënë, ecën bashkë me ata që ecin.
Aty ku bota sheh kërcënime, Kisha sheh fëmijë; aty ku ngrihen mure, Kisha ndërton ura (75).
Në çdo emigrant të përjashtuar, është Krishti ai që troket. Dashuria e krishterë bëhet çliruese, duke u përballur me skllavërinë moderne: tregtinë me njerëz, punën e detyruar, shfrytëzimin (61).
4. Lëmosha dhe ungjillëzimi
Ekziston një lidhje e pazgjidhshme midis besimit tonë dhe të varfërve (36). Disa të krishterë lejojnë që të ndikohen nga ideologjitë botërore. Lëmosha shpesh shihet me përçmim. Papa porosit:
Duhet të japim lëmoshë si një mënyrë për t’u afruar me vuajtjen e të varfërve dhe për t’i prekur ata (119).
5. Të varfërit janë mësues të Ungjillit
Të varfërit nuk janë vetëm një “problem shoqëror”, por janë “në vetë zemrën e Kishës” (111).
Ata nuk janë këtu “rastësisht apo nga një fat i verbër e mizor”. Është e nevojshme “t’u lejojmë të varfërve të na ungjillëzojnë” (102) si “mësues të Ungjillit”. Thirrja përfundimtare është të ngremë zërin që dënon padrejtësitë.
Kulti i vërtetë kërkon dashuri ndaj të varfërve
Nëpërmjet citimeve biblike dhe mendimeve të Etërve të Kishës, Papa Leoni na kujton se dashuria ndaj të varfërve “nuk është fakultative, por një kërkesë e adhurimit të vërtetë hyjnor”.
Fjalët e Shën Gjon Gojartit dhe Shën Augustinit edhe sot e ndriçojnë Kishën: i pari na nxit të nderojmë Jezusin në trupin e të varfërve, duke pyetur se ç’kuptim ka të kemi altare plot me enë ari, ndërkohë që Krishti shtrihet i rraskapitur nga uria menjëherë përpara kishës; i dyti i përshkruan të varfërit si “praninë sakramentale të Zotit”, duke parë në kujdesin ndaj të varfërve një dëshmi të prekshme të sinqeritetit të besimit personal:
Kush thotë se e do Zotin, por nuk ka dhembshuri për nevojtarët, gënjen.
Detyrë e mbarë popullit të Zotit
Për shkak të kësaj lidhjeje me mesazhet themelore të krishterimit, pjesa përfundimtare e nxitjes “Dilexi te” përmban një thirrje drejtuar çdo të pagëzuari, duke e nxitur secilin të angazhohet konkretisht për mbrojtjen dhe promovimin e më të dobëtëve:
“Të gjithë anëtarët e popullit të Zotit kanë detyrimin që zërat e tyre të dëgjohen, megjithëse në mënyra të ndryshme, për të treguar dhe dënuar këto probleme strukturore, edhe me koston që të duken të marrë ose naivë.”
Ky është një mesazh me pasoja të thella si për Kishën, ashtu edhe për shoqërinë: sistemi aktual ekonomik-financiar dhe “strukturat e mëkatit” të tij nuk janë të pashmangshme, prandaj është e mundur të imagjinohet dhe të ndërtohet — “me forcën e së mirës” — një shoqëri ndryshe dhe më e drejtë, “me një ndryshim mënyre të të menduarit, por edhe, me ndihmën e shkencës dhe teknologjisë, përmes zhvillimit të politikave efektive për ndryshime shoqërore.”
