Dienstag, Dezember 16, 2025

Mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Leoni XIV, për Ditën e 5-të Botërore të gjyshërve dhe të moshuarve (27 korrik 2025)

Share

“Lum ai që nuk e ka humbur shpresën” (krh. Sir 14,2)

Të dashur vëllezër e motra!
Jubileu që po kremtojmë na ndihmon të zbulojmë se shpresa është gjithmonë, në çdo moshë të jetës, një burim gëzimi. Kur, për më tepër, ajo farkëtohet në zjarrin e një jete të gjatë, bëhet burim lumturie të plotë.
Shkrimi i Shenjtë na paraqet disa shembuj burrash e grash të moshuar që Zoti i përfshin në planet e Tij të shpëtimit. Të kujtojmë Abrahamin dhe Sarën, të cilëve, për shkak të moshës së tyre të shtyrë, u ishte e vështirë të besonin në premtimin e Zotit se do të kishin një fëmijë. Pamundësia për të pasur fëmijë dukej sikur ua kishte shuar shpresën për të ardhmen.
As reagimi i Zakarisë ndaj lajmit për lindjen e Gjon Pagëzuesit nuk është ndryshe: “Nga ç’gjë do ta kuptoj këtë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime është në moshë të shtyrë” (Lk 1,18). Si të thuash, mosha, shterpësia dhe dobësia e trupit shuajnë shpresën për jetë dhe pjellori për këta burra dhe gra. Edhe pyetja që Nikodemi i drejton Jezusit, kur Mësuesi flet për “lindjen e re”, duket thjesht retorike: “Si mund të lindë një njeri kur është plak? Vallë mund të hyjë për së dyti në barkun e nënës së tij dhe të lindë?” (Gjn 3,4). E megjithatë, pikërisht kur përgjigjja duket e vetëkuptueshme, Zoti i befason bashkëbiseduesit e Tij me veprimin e shpëtimit.

Të moshuarit – shenja shprese
Në Bibël, Zoti shpeshherë shfaq përkujdesjen e Tij duke u drejtuar njerëzve të moshuar. Kjo nuk vlen vetëm për Abrahamin, Sarën, Zakarinë dhe Elizabetën, por edhe për Moisiun, i cili u thirr për të çliruar popullin e tij kur ishte tetëdhjetë vjeç (krh. Dal 7,7). Me këto zgjedhje, Ai na mëson se në sytë e Tij, mosha e vjetër është kohë bekimi dhe hiri, dhe se të moshuarit janë për Të dëshmitarët e parë të shpresës. “Çfarë është pleqëria?”, pyet në këtë drejtim shën Agustini dhe shton: “Zoti të përgjigjet kështu: është koha kur forcat do të të lënë që të banojë në ty forca ime, që të mund të thuash bashkë me apostullin: ‘Sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fortë!’”(Ps. 70,11). Fakti që numri i të moshuarve po rritet sot është, pra, për ne një shenjë e kohëve që jemi të thirrur ta njohim, në mënyrë që ta kuptojmë drejt momentin historik në të cilin jetojmë.
Jeta e Kishës dhe e botës mund të kuptohet vetëm në dritën e brezave që vijnë njëri pas tjetrit, dhe pranimi i të moshuarit na ndihmon të kuptojmë se historia nuk përfundon në të tashmen e as nuk shteron në takime të sipërfaqshme dhe në marrëdhënie të copëzuara, por shtrihet drejt së ardhmes. Në Librin e Zanafillës hasim një ngjarje prekëse, ku Jakobi, tashmë në moshë të thyer, i bekon nipërit e tij, bijtë e Jozefit: fjalët e tij i nxisin të shikojnë me shpresë drejt së ardhmes, ashtu si në kohën e premtimeve të Zotit (krh. Zan 48,8-20). Nëse është e vërtetë se dobësia e të moshuarve ka nevojë për forcën e të rinjve, po aq e vërtetë është se mungesa e përvojës te të rinjtë ka nevojë për dëshminë e të moshuarve që e ardhmja të ndërtohet me mençuri. Sa shpesh gjyshërit dhe gjyshet kanë qenë për ne shembull besimi dhe përkushtimi fetar, virtytesh qytetare dhe angazhimi shoqëror, kujtese dhe qëndrueshmërie në sprova! Kurrë nuk do të arrijmë t’i përgjigjemi me mjaftueshëm mirënjohje dhe koherencë atij trashëgimi të çmuar që ata na kanë përcjellë me shpresë dhe dashuri!

Shenja shprese për të moshuarit
Që nga fillimet e tij biblike, Jubileu ishte kohë çlirimi: skllavët liroheshin, borxhet faleshin, toka u kthehej pronarëve të saj të parë. Ishte kohë e përtrirjes së rendit shoqëror të dëshiruar nga Zoti, në të cilën fshiheshin pabarazitë dhe shtypja që ishin grumbulluar gjatë viteve të gjata. Jezusi i ringjall ato ngjarje çlirimi kur në sinagogën e Nazaretit shpall lajmin e mirë për të varfrit, kthimin e shikimit për të verbrit, lirimin e të burgosurve dhe çlirimin e të shtypurve (krh. Lk 4,16-21).
Duke i parë të moshuarit nga kjo perspektivë jubileare, edhe ne jemi të ftuar të përjetojmë së bashku me ta çlirimin, veçanërisht nga vetmia dhe braktisja. Kjo është një kohë hiri për ta bërë këtë: besnikëria e Zotit ndaj premtimeve të Tij na mëson se mosha e thyer bart në vete bekimin, një gëzim autentik ungjillor që na kërkon të shembim muret e indiferencës, pas të cilave të moshuarit shpesh janë të mbyllur. Shoqëritë tona, kudo në botë, janë mësuar tepër shpesh ta lënë mënjanë dhe ta harrojnë këtë pjesë kaq të rëndësishme dhe të pasur të tyre.
Në këto rrethana, është e nevojshme një kthesë që do të tregojë qartë pranimin e një përgjegjësie nga e gjithë Kisha. Çdo famulli, shoqatë dhe grupim kishtar është i thirrur të luajë një rol të rëndësishëm në “revolucionin” e mirënjohjes dhe kujdesit, që të realizohet me vizita të shpeshta tek të moshuarit, krijimin e rrjeteve të mbështetjes dhe lutjes për ta dhe me ta, ndërtimin e marrëdhënieve që japin shpresë dhe dinjitet për ata që ndihen të harruar. Shpresa e krishterë gjithmonë na shtyn të guxojmë për më shumë, të kemi plane të mëdha dhe të mos kënaqemi me gjendjen aktuale. Në këtë rast, do të thotë të angazhohemi për një ndryshim që u kthen të moshuarve respektin dhe dashurinë që u takon.
Për këtë arsye Papa Françesku ka dashur që Dita Botërore e gjyshërve dhe të moshuarve të festohet në radhë të parë përmes takimeve me ata që janë vetëm. Për të njëjtën arsye, është vendosur që ata që këtë vit nuk mund të bëjnë pelegrinazh në Romë “të mund të fitojnë faljen jubileare nëse kushtojnë pak kohë për të vizituar të moshuar të vetmuar si të ishin duke bërë pelegrinazh te Krishti që është i pranishëm në ta (krh. Mt 25,34-36)” (Penitencieria Apostolike, Normat për dhënien e faljes jubileare, III). Vizita tek një person i moshuar është mundësi për një takim me Jezusin, i cili na çliron nga indiferenca dhe vetmia.

Të moshuarit kanë arsye për të shpresuar
Në Librin e Siracidit thuhet se janë të lum ata që nuk e kanë humbur shpresën (krh. 14,2), duke lënë të kuptohet se në jetën tonë veçanërisht nëse është e gjatë mund të kemi shumë arsye për t’u kthyer më shumë pas se sa për të parë përpara. Megjithatë, siç shkroi Papa Françesku gjatë qëndrimit të tij të fundit në spital, “trupi ynë është i dobët, por gjithsesi, asgjë nuk mund të na pengojë të duam, të lutemi, të japim veten, të jemi për njëri-tjetrin, me besim, shenja ndriçuese shprese” (Engjëlli i Zotit, 16 mars 2025). Kemi një liri që asnjë vështirësi nuk mund të na e marrë: lirinë për të dashur dhe për t’u lutur. Të gjithë mundemi, gjithmonë, të duam dhe të lutemi.
E mira që dëshirojmë për ata që na janë të dashur – për bashkëshortin ose bashkëshorten me të cilin kemi kaluar pjesën më të madhe të jetës, për fëmijët, për nipërit dhe mbesat që e mbushin ditën tonë me gëzim – nuk zbehet edhe kur forcat na lënë. Përkundrazi, shpesh është pikërisht dashuria e tyre ajo që zgjon forcën tonë, duke na dhënë shpresë dhe ngushëllim.
Këto shenja të vitalitetit të dashurisë, që burimin e kanë te vetë Zoti, na japin guxim dhe na kujtojnë se “nëse njeriu i jashtëm po prishet, ai i brendshmi ditë pas dite po përtërihet” (2 Kor 4,16). Prandaj, sidomos në pleqëri, të mbështetemi gjithnjë më fort te Zoti. Të përditësohemi çdo ditë përmes takimit me Të në lutje dhe në Meshën e shenjtë. Ta transmetojmë me dashuri fenë që kemi jetuar ndër vite në familjet tona dhe në takimet tona të përditshme: ta lavdërojmë gjithnjë Zotin për mirësinë e Tij, të kujdesemi për unitetin me të dashurit tanë dhe të hapim zemrën për ata që janë larg, veçanërisht për ata që janë në nevojë. Kështu do të jemi shenja të shpresës në çdo moshë të jetës.

Nga Vatikani, më 26 qershor 2025
PAPA LEONI XIV

Më shumë artikuj

Lajmet lokale

Translate »