Të mbrojmë zërat dhe fytyrat e njerëzve
Të dashur vëllezër dhe motra!
Fytyra dhe zëri janë shenja unike dhe të dallueshme të çdo personi. Ato zbulojnë identitetin e tij të veçantë dhe janë elemente themelore të çdo takimi. Grekët e lashtë e dinin këtë shumë mirë. Prandaj, për të përkufizuar personin njerëzor përdornin shprehjen “fytyrë” (prósōpon), që etimologjikisht do të thotë ajo që është përpara syve, vendi i pranisë dhe i marrëdhënies. Nga ana tjetër, fjala latine “person” (persona, nga per-sonare) përfshin tingullin, dhe jo çdo tingull, por zërin unik të një personi të caktuar.
Fytyra dhe zëri janë të shenjtë. Na i ka dhënë Hyji, i cili na krijoi sipas shëmbëlltyrës dhe përngjasimit të vet, duke na thirrur në jetë përmes fjalës me të cilën Ai vetë na u drejtua, fjalë që së pari jehoi ndër shekuj në zërat e profetëve, e më pas, në plotësinë e kohës, u bë mish. Këtë Fjalë – këtë komunikim me të cilin Hyji afrohet tek ne – ne mundëm ta dëgjojmë dhe ta shohim drejtpërdrejt (krh. 1 Gjn 1,1-3), sepse u bë e njohur në zërin dhe fytyrën e Jezusit, Birit të Hyjit.
Që nga çasti i krijimit, Hyji e ka dashur njeriun si bashkëbiseduesin e vet dhe, siç thotë Shën Gregori i Nisës, ka shtypur në fytyrën e tij pasqyrimin e dashurisë hyjnore, që ai të mund ta përjetojë plotësisht njerëzinë e vet në dashuri. Prandaj, të ruash fytyrat dhe zërat njerëzorë do të thotë të ruash këtë shenjë, këtë gjurmë të pashlyeshme të dashurisë së Hyjit. Ne nuk jemi një lloj i përbërë nga algoritme biokimike të paracaktuara. Secili prej nesh ka një thirrje të pazëvendësueshme dhe unike, që buron nga jeta dhe zbulohet pikërisht në komunikimin me të tjerët.
Nëse nuk e përmbushim këtë detyrë mbrojtjeje, teknologjia digjitale rrezikon të ndryshojë rrënjësisht disa nga shtyllat themelore të qytetërimit njerëzor, të cilat shpesh i marrim si të mirëqena. Duke simuluar zërat dhe fytyrat njerëzore, urtinë dhe dijen, ndërgjegjen dhe përgjegjësinë, empatinë dhe miqësinë, sistemet e njohura si inteligjencë artificiale (IA) jo vetëm që hyjnë në ekosistemet informative, por depërtojnë edhe në nivelin më të thellë të komunikimit – atë të marrëdhënieve ndërpersonale.
Kjo sfidë, pra, nuk është vetëm teknologjike, por antropologjike. Të ruash fytyrat dhe zërat do të thotë, në fund të fundit, të ruash vetveten. Të pranosh me guxim, vendosmëri dhe urti mundësitë që ofron teknologjia digjitale dhe inteligjenca artificiale nuk do të thotë të mbyllësh sytë para pikave kritike, hijeve dhe rreziqeve të saj.
Të mos heqim dorë nga aftësia për të menduar
Prej kohësh ekzistojnë dëshmi të shumta se algoritmet e krijuara për të rritur maksimalisht ndërveprimin në rrjetet sociale – gjë që sjell fitim për platformat – shpërblejnë emocionet e shpejta dhe ndëshkojnë reagimet njerëzore që kërkojnë kohë, siç është përpjekja për të kuptuar dhe reflektuar. Duke i mbyllur njerëzit në “flluska” pajtimi të shpejtë dhe zemërimi të menjëhershëm, këta algoritme zvogëlojnë aftësinë tonë për të dëgjuar dhe për të menduar në mënyrë kritike, duke rritur polarizimin shoqëror.
Megjithatë, nuk duhet të shqetësohemi aq për atë që makinat arrijnë ose do të arrijnë të bëjnë, por për atë që ne mund dhe duam të bëjmë, duke u rritur në njerëzi dhe dije, përmes përdorimit të urtë të këtyre mjeteve të fuqishme.
Të jesh apo të shtirësh: simulimi i marrëdhënieve dhe realitetit
Ndërsa shfletojmë rrjedhat tona të informacionit (feeds), bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallojmë nëse po komunikojmë me njerëz të vërtetë apo me bot-e dhe influencues virtualë. Ndërhyrjet jo transparente të këtyre agjentëve ndikojnë në debatet publike dhe në vendimet e njerëzve.
Chatbot-et e bazuara në modele të mëdha gjuhësore tregohen veçanërisht efektive në bindjen e fshehtë, duke optimizuar vazhdimisht ndërveprimet e personalizuara. Struktura e tyre dialoguese dhe imituese mund të simulojë ndjenjat njerëzore dhe të krijojë marrëdhënie të rreme. Kjo mund të jetë joshëse, por edhe mashtruese, sidomos për personat më të brishtë.
Teknologjia që shfrytëzon nevojën tonë për marrëdhënie mund të ketë pasoja të dhimbshme për individët dhe të dëmtojë strukturën shoqërore, kulturore dhe politike. Kur marrëdhëniet reale zëvendësohen me ato artificiale, humbasim mundësinë e takimit me tjetrin, që është gjithmonë ndryshe nga ne. Pa pranimin e tjetërsisë, nuk ka marrëdhënie dhe as miqësi.
Një aleancë e mundshme
Askush nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për të ardhmen që po ndërtojmë. Platformat duhet të udhëhiqen jo vetëm nga fitimi, por edhe nga e mira e përbashkët. Programuesit duhet të jenë transparentë dhe të përgjegjshëm. Ligjvënësit duhet të mbrojnë dinjitetin njerëzor.
Të gjithë jemi të thirrur për bashkëpunim: industria, akademia, mediat, artistët, edukatorët. Edukimi duhet të forcojë mendimin kritik, të ndihmojë në dallimin e burimeve dhe të mbrojë privatësinë dhe identitetin.
Duhet të mësojmë si të përdorim me vetëdije inteligjencën artificiale dhe si të mbrojmë fytyrën dhe zërin tonë nga keqpërdorimi, si në rastet e mashtrimeve digjitale, bullizmit online apo manipulimeve si deepfake.
Duhet të sigurojmë që fytyra dhe zëri të shprehin përsëri personin. Duhet ta ruajmë dhuratën e komunikimit si të vërtetën më të thellë të njeriut dhe ta drejtojmë çdo inovacion teknologjik në këtë drejtim.
Duke ofruar këto reflektime, falënderoj të gjithë ata që punojnë për këto qëllime dhe nga zemra bekoj të gjithë ata që i shërbejnë të mirës së përbashkët përmes mjeteve të komunikimit.Nga Vatikani, 24 janar 2026
