Montag, Oktober 27, 2025

Papa Leoni XIV: Dita 111-të Botërore e Migrantëve dhe Refugjatëve 2025

Share

MESAZHI I PAPËS LEONI XIV

PËR DITËN E 111-të BOTËRORE TË MIGRANTËVE DHE REFUGJATËVE 2025
[4-5 Tetor 2025]

Migrantët, misionarë të shpresës

Të dashur vëllezër dhe motra!
Dita e 111-të Botërore e Migrantëve dhe Refugjatëve, të cilën paraardhësi im e vendosi të përkonte me Jubiletë e Migrantëve dhe të Misioneve, na ofron një mundësi për të reflektuar mbi lidhjet ndërmjet shpresës, migrimit dhe misionit.

Konteksti aktual botëror, për fat të keq, është i shënuar nga luftërat, dhuna, padrejtësia dhe ngjarjet ekstreme klimatike, të cilat detyrojnë miliona njerëz të braktisin atdheun në kërkim të strehimit gjetkë. Prirja e përhapur për t’u kujdesur vetëm për interesat e komuniteteve të kufizuara përbën një kërcënim serioz për ndarjen e përgjegjësive, bashkëpunimin shumëpalësh, ndjekjen e së mirës së përbashkët dhe solidaritetin global në dobi të mbarë familjes sonë njerëzore. Perspektiva e një gare të re armatimesh dhe zhvillimi i armëve të reja, përfshirë ato bërthamore, mungesa e vëmendjes ndaj pasojave të dëmshme të krizës së vazhdueshme klimatike dhe ndikimi i pabarazive të thella ekonomike e bëjnë gjithnjë e më sfiduese përballjen me sfidat e tashme dhe të ardhshme.

Përballë këtyre skenarëve frikësuese dhe mundësisë së shkatërrimit global, është e rëndësishme të rritet në zemrat e njerëzve dëshira për një të ardhme paqeje dhe respekti për dinjitetin e gjithsecilit. Një e ardhme e tillë është thelbësore për planin e Zotit për njerëzimin dhe për gjithë krijimin. Kjo është e ardhmja mesianike e paralajmëruar nga profetët: «Plaq e plaka prap do të rrinë në sheshet të Jerusalemit, secili do ta ketë në dorë shkopin për shkak të moshës së thellë!Sheshet e qytetit do të mbushen plot me meca e me cuva që do të luajnë nëpër tregjet e tija… por do të jetë fara e paqes; hardhia do të japë frytin e vet, edhe toka do ta japë prodhimin e vet. Pronare të të gjitha këtyre do ta bëj Tepricën e këtij populli» (Zak 8,4-5.12). Kjo e ardhme ka filluar tashmë, sepse është inauguruar nga Jezu Krishti (krh. Mk 1,15; Lk 17,21), dhe ne besojmë e shpresojmë në realizimin e saj të plotë, sepse Zoti është gjithmonë besnik ndaj premtimeve të tij.

Katekizmi i Kishës Katolike mëson: «Virtyti i shpresës i përgjigjet dëshirës për lumturi që Zoti e ka vendosur në zemrën e çdo burri dhe gruaje; ai përvetëson shpresat që frymëzojnë veprimtaritë njerëzore» (nr. 1818). Për më tepër, kërkimi i lumturisë dhe perspektiva për ta gjetur atë përtej vendlindjes është padyshim një nga nxitjet kryesore të lëvizjes së njerëzve sot.

Kjo lidhje midis migrimit dhe shpresës del qartë në shumë përvoja të sotme migrimi. Shumë migrantë, refugjatë dhe persona të zhvendosur janë dëshmitarë të privilegjuar të shpresës. Ata e dëshmojnë këtë çdo ditë përmes qëndresës së tyre dhe besimit në Zotin, ndërsa përballen me vështirësi në kërkim të një të ardhmeje ku e ndiejnë se zhvillimi integral njerëzor dhe lumturia janë të mundshme. Për më tepër, në jetët e tyre mund të shohim përsëritjen e përvojës shtegtare të popullit të Izraelit: «O Hyj, kur dilje para popullit tënd, kur ti kaloje nëpër shkretëtirë, trandej toka, qiejt rigonte para Hyjit, para Hyjit të Izraelit.  Shi të mbushullimtë lëshoje, o Hyj, e ripërtërije  trashëgiminë tënd të lodhur. Gjëja e gjallë jotja banonte në atë vend që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin» (Ps 68,8-11).

Në një botë të errësuar nga lufta dhe padrejtësia, edhe kur gjithçka duket e humbur, migrantët dhe refugjatët janë lajmëtarë të shpresës. Trimëria dhe qëndrueshmëria e tyre japin një dëshmi heroike të një besimi që shikon përtej asaj që syri sheh dhe u jep forcë për t’i sfiduar vdekjen në rrugët e ndryshme migratore të sotme. Edhe këtu gjejmë një analogji të qartë me përvojën e popullit të Izraelit që endet në shkretëtirë, duke përballuar çdo rrezik me besim në mbrojtjen e Zotit: «Sepse Ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarëve dhe nga fjala dijekeqe. Do të të bëjë hije me krahët e vet do të strehohesh nën fletët e tija, shqyt e pancir e vërteta e tij. Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës, as prej shigjete që fluturon ditën, as prej murtajë që shëtit në errësirë, as prej shfarosjes që shkreton në mesditë» (Ps 91,3-6).

Migrantët dhe refugjatët i kujtojnë Kishës dimensionin e saj shtegtar, gjithmonë në udhëtim drejt atdheut të saj përfundimtar, e mbështetur në një shpresë që është virtyt teologjik. Sa herë që Kisha i nënshtrohet tundimit të “vendosmërisë” dhe pushon së qeni civitas peregrina, populli i Zotit në udhëtim drejt atdheut qiellor (krh. Augustini, De Civitate Dei, librat XIV-XVI), ajo pushon së qeni “në botë” dhe bëhet “nga bota” (krh. Gjn 15,19). Ky tundim ishte i pranishëm që në bashkësitë e hershme të krishtera, sa që Apostulli Pal duhej ta kujtonte Kishën e Filipinëve se «Atdheu ynë është qielli, nga presim se vjen si shëlbus Jezu Krishti. Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm në saje të pushtetit që ka të nënshtrojë nën sundimin e vet gjithçka» (Fil 3,20-21).

Në mënyrë të veçantë, migrantët dhe refugjatët katolikë mund të bëhen misionarë të shpresës në vendet që i mirëpresin, duke hapur rrugë të reja të besimit atje ku mesazhi i Jezu Krishtit ende nuk ka mbërritur, ose duke nisur dialog ndërfetar të bazuar në jetën e përditshme dhe në kërkimin e vlerave të përbashkëta. Me gjallërinë dhe entuziazmin e tyre shpirtëror, ata mund të ndihmojnë për të rigjallëruar bashkësitë kishtare që janë bërë të ngurta e të rënduara, atje ku po përhapet me ritme shqetësuese një shkretëtirë shpirtërore. Prania e tyre, pra, duhet njohur dhe vlerësuar si një bekim i vërtetë hyjnor, një mundësi për t’u hapur ndaj hirit të Zotit, i cili i jep Kishës forcë dhe shpresë të re: «Mos e lini pas dore mikpritjen, sepse me anë të saj, disa, pa e ditur i pritën miq engjëjt» (Heb 13,2).

Elementi i parë i ungjillëzimit, siç theksonte Shën Pali VI, është dëshmia: «Të gjithë të krishterët janë të thirrur për këtë dëshmi dhe, në këtë mënyrë, mund të jenë vërtet ungjillëzues. Mendojmë në mënyrë të veçantë për përgjegjësinë që bie mbi migrantët në vendin pritës» (Evangelii Nuntiandi, 21). Kjo është një missio migrantium, një mision i përmbushur nga migrantët, për të cilin duhet siguruar përgatitje e përshtatshme dhe mbështetje e vazhdueshme përmes bashkëpunimit ndërkishtar efektiv.

Njëkohësisht, bashkësitë pritëse mund të jenë gjithashtu një dëshmi e gjallë e shpresës, e kuptuar si premtim i një të tashmeje dhe të ardhmeje ku njihet dinjiteti i të gjithëve si bij dhe bija të Zotit. Në këtë mënyrë, migrantët dhe refugjatët njihen si vëllezër dhe motra, pjesë e një familjeje në të cilën mund të shprehin talentet e tyre dhe të marrin pjesë plotësisht në jetën e bashkësisë.

Në këtë Jubile, kur Kisha lutet për të gjithë migrantët dhe refugjatët, dëshiroj t’i besoj të gjithë ata që janë në udhëtim, si dhe ata që punojnë për t’i shoqëruar, mbrojtjes amtare të Virgjërës Mari, ngushëllimit të migrantëve, që ajo të mbajë gjallë shpresën në zemrat e tyre dhe t’i mbështesë në përkushtimin për të ndërtuar një botë që i ngjan gjithnjë e më shumë Mbretërisë së Zotit, atdheut të vërtetë që na pret në fund të udhëtimit tonë.

Nga Vatikani, më 25 korrik 2025

Festa e Shën Jakobit, Apostull
LEONI PP. XIV

Më shumë artikuj

Lajmet lokale

Translate »