Në shekullin e IV si në të gjithë vendet e Evropës së asaj kohe, edhe në Dardani u pranua feja e re e kristianizmit. Një aktivitet i tillë plotësohet mjaft mirë jo vetëm nga burimet e kohës, por dhe nga të dhënat arkeologjike dhe nga burimet e kohës të cilat flasin për një korespondencë të plotë me kishën e krishterë të asaj kohe.
Kërkimet e viteve të fundit në Kosovë, treguan se qendra e kësaj periudhe po përcjellin vlera shpesh herë unikale mbi urbanizimin e kësaj treve kryesisht gjatë sundimit të Justinianit dhe më pas në mesjetë. Një aktivitet i tillë plotësohet mjaft mirë jo vetëm nga burimet e kohës, por dhe nga të dhënat arkeologjike. Disa monumente paleobizantine, qyteza apo fortifikime përbëjnë një lëndë me rëndësi për këtë epokë. Studimi i tyre sapo ka filluar të plotësojë një pamje të re mbi arkeologjinë dhe arkitekturën paleokristiane në Kosovë.
Panorama topografike e shtrirjes së monumenteve të periudhës paleokristiane u zgjerua së tepërmi si rezultat i kërkimeve arkeologjike, që u kryen në Kosovë, në kuadrin e ekspeditave përnjohëse gjatë viteve 2000-2006. Gjurmimet arkeologjike treguan për një dendësi vendbanimesh të tipeve të ndryshëm, që ndodhën në rajonin që përfshin pellgun e Drinit të Bardhë si dhe të lumenjve të tjerë si Lumbardha e Pejës, lumin e Klinës, Erenikun e Gjakovës, Mirushën e Malishevës etj. Disa monumente paleobizantine, qyteza apo fortifikime përbëjnë një lëndë me rëndësi për këtë epokë. Studimi i tyre ka filluar të plotësojë një pamje të re mbi arkeologjinë dhe arkitekturën paleokristiane në Kosovë. Duhet të theksojmë se gjurmimi i kishave të hershme në Kosovë gjatë dekatave të fundit është anashkaluar. Aktiviteti kryesor në këtë fushë ka qenë drejtuar vetëm në kishat e periudhës së shekujve XIV dhe më vonë. Është me mjaft rëndësi të përmendim zbulimet e bëra më parë në fushën e arkitekturës paleokristiane si dhe një sërë rezultatesh të reja që janë arritur gjatë viteve të fundit në Kosovë.
Gërmimet e reja arkeologjike në qytezën e fortifikuar të Korishës (Prizren), Harillaqit ( Fushe-Kosove), Kastercit (Suhareke, kanë sqaruar përveç sistemit fortifikues dhe një kishë të periudhës paleokristiane, duke e vendosur këtë qytezë në grupin e monumenteve të shekullit VI në Dardani. Ndërtimi i një serë objektesh kulti ne teritorin tashmë të hulumtuar siç janë ato të Vërmicës, Banja afër Pejës, apo gjurmë të një apside të zbuluara gjatë hapjes së rrugës Pejë–Banjë, të cilat datohen në shekujt IV-V. Po ashtu, kisha e Bela Crkves dhe ajo e Studenicës janë ngritur mbi struktura më të hershme të cilat datohet në shekullin e VI. Këtij grupi i shtohet dhe kisha e shën Angjelit në Prizren, e cila ndonëse e datuar në shekujt X, nga skulptura dekorative dhe fragmentet arkitektonike mund të datohet në periudhën paleokristiane.
Natyrisht për të ardhur deri në shekujt e mesjetës, shoqëria dardane ka kaluar disa momente historike mjaft të rendësishme gjatë antikitetit të vonë. Një ndër rrugët që kjo shoqëri kaloi ishte ajo e kristianizimit e cila u shoqërua më presionin e pandërprerë që bënin sulmet barbare. Në vitet 600-602, bizantët e abandonuan limesin e Danubit dhe kështu hapën rrugën për depërtimin e sllavëve ne Ballkan. Në disa dokumenta historike të viteve 602-618 njoftohemi mbi dyndjet avaro-sllave në Dardani, të cilët sulmuan Naisin dhe Serdikën dhe kryen masakra të mëdha mbi popullsinë dardane.
Qendra kishtare e dardanëvë del në dokumentacionin historik në vitin 325 me kryeqendër Shkupin. Dokumenti i parë i shkruar që flet për organizimin e kristianizmit në provincën e Dardanisë, është ai i Konsilit të Parë, organizuar nga perandori Konstandin në vitin 325 pas Kr., ku përmendet emri i ipeshkvit të metropolit të Dardanisë. Megjithatë burime të ndryeshme flasin se territori dardan kishte përqafuar shumë më herët idetë e kristianizmit. Një tregues mjaftë sinjifikativ për këtë është përmendja e martirëve dardanë, Florit dhe Laurit, të cilët kanë zhvilluar aktivitetin e tyre në Dardani në mesin e shekullit të II pas Kr. Në Acta Sanctorum përmendet atdheu i martitëve që është Dardania si dhe vendi i martirizimit Ulpiana. Po ashtu rezulton se në Koncilin e Nicës, ishte dhe ipeshkvi i Dardanëve «Dacus Dardaniae».
Një qendër tjetër, me rëndësi për zhvillimin e fesë së krishterë në Dardani, përveç Scupit, paraqitet Ulpiana, e cila në shekullin e IV dokumentohet në rangun e një selije ipeshkvnore. Në organizimin e saj Dardania përgjatë shekujve IV dhe V ka patur disa dioqeza si në Scup, Ulpianë, Neutina, Diokletiana, Mariana, Justiniana Prima, Stobi etj. Sipas dokumentacionit historik të kohës gjatë viteve 552-559 shpërthyen në Dardani revolta të mëdha fetare në qytetin e Ulpianës, për shkak të vendimit të “Tria Capitula”. Një fenomen i tillë në atë periudhë lidhet me mospajtueshmërinë e drejtuesve të fesë dardane me vendimin e Papa Virgjilit. Kjo me sa duket shpreh në rradhë të parë krijimin e strukturave të qëndrueshme të fesë kristiane dardane dhe politikën e saj me rëndesi që kishte ajo në hierarkinë në përgjithësi, pasi siç tashmë dihet, ato nuk nënshkruan në konsilin që mbajti Papa Virgjili për dënimin e “Tria Capitula“. Por, ky dokument ka një rëndesi të mëdhe pasi aty përmendet i gjithë Ipeshkvia e Dardanisë dhe shënohen përfaqësuesit nga Dardania si argjipeshkvi i Justinianës së Parë, Benenatin; Sabini nga Zapara, profekti nga Naissusi dhe ipeshkvi i Justiniana Secundës, Pali etj. Njëkohësisht janë përmbledhur të gjithë letrat e ruajtura për Kishën Dardane siç janë ato të Papës Celestinit të I-rë, Inoçenti I (v. 414), Gelazit të I (v. 493), Simaku (v. 513 ), Gërgurit të Madh (v.592) apo të perandorëve.
Në novelën e dyte CXXXI (v.545) perandori me origjinë dardane i Bizantit, Justiniani rregulloi statusin e arkipeshkvit dhe të vikariatit të Justiniana Primës. Njëkohësisht këtu shenohet edhe korespondenca e bërë nga ipeshkvët dardanë, veçanërisht perandori Leoni I August nënshkruar nga ipeshkvi Ursili, Dalmati dhe Maksimi, apo letra tjetër drejtuar papa Gelazit etj.
Prania e kishës, e cila ishte e lidhur me popullsinë autoktone të krishtere, dëshmon se Dardania nuk i sllavizua nga paganet e stepave. Në vitin 787 ipeshkvët e Dardanisë morën pjesë në koncilin e Nikesë, ndërsa perandori bizantin Leoni III (717-741) vuri nën vartësinë e patriakut të Kostandinopojës edhe dioqezen e Justiniana Primës. Ipeshkvia e Shkupit na del përsëri në dritën e dokumentave të vitit 864, në të cilin prijësi bullgar, Borisi, u pagëzua si i krishterë në kishën e Ballshit së bashku me popullin e vet. Kjo dëshmon se banorët e Dardanisë jugore nuk ishin sllavë, por i përkisnin popullsisë autoktone dardane.
Konvertimi i popullsisë iliro-dardane në të krishterë përkoi me dy valët e mëdha të dyndjeve barbare nëpër trevat e tyre në Ballkanin Perëndimor.
Vitet 700-850 shënojnë fillimin e proçesit te ndryshimeve ndermjet Lindjes dhe Perëndimin. Dy shekujt e parë pas ardhjes së sllavëve në territorin e Dardanisë janë të errët dhe plot paqartësi, jo vetëm për historinë por veçanërshit për rrethanat kishtare.
Gjatë shekullit IX-XII, sllavët vendosën në Ballkan dhe kryen proçesin e gjatë të kristianizimit të tyre. Mungesa e materialit historik ka krijuar vështërsi në lidhje me sqarimin e situatës për këtë periudhë pasi ajo është e shoqëruar dhe me mungesën e të dhënave kishtare të Perandorisë Bullgare për shekullin e IX. Me ardhjes e sllavëve pa dyshim u shkatërrua rëndë jeta kishtare që kishte lulëzuar deri në atë kohë. Për një kohë u shkëputën të gjitha lidhjet me Romën si dhe me qytetet e tjera të bregdetit. Një informacion tjetër thotë se Scupi ka vazhduar deri në fund të shekullit VIII pasi një ipeshkv dardan ka marrë pjesë në Koncilin VII Ekumenik të vitit 787.
Gjatë sundimit të Leonit III, 717 – 741, vërejmë se ipeshkvia e Justiniana Primës ishte në vartësi të Konstandinopolit. Në vitin 787 ipeshkvët e Dardanisë morën pjesë në koncilin e Nikesë, ndërsa perandori bizantin Leoni III (717 – 741) vuri nën vartësinë e patriakut të Kostandinopojës edhe dioqezen e Justiniana Primës.
Ipeshkvia e Shkupit na del përsëri në dritën e dokumentave të vitit 864, në të cilin prijësi bullgar, Borisi, u pagëzua si i krishterë në kishën e Ballshit së bashku me popullin e vet. Kjo dëshmon se banorët e Dardanisë jugore nuk ishin sllavë. Po ashtu ipeshkvia e qytetit të Shkupit del në dokumentat e vitit 864 si një qendër kishtare e rëndësishme.
Në kohën e sundimit të perandorit Boris (852 – 889), i cili luhatej midis Romës dhe Konstandinopolit, perandori iu drejtua Koncilit VIII të Përgjithshëm në Kostandinopojë (869 – 870) në të cilën u vëndos që Bullgaria të përfshihet në mbikqyrjen e Patriakanës së Kostandinopolit ku do të përfshihet dhe Dardania. Vetëm në shekullin e X dioqeza e Shkupit përmendet në mesin e dioqezave të tjera të perandorisë së gjërë të Samuelit. Kjo është hera e parë që pas vitit 602, që në burimet kishtare përmendet Eccelesia Scupina e dikurshme.
Gjatë shekujve IX-XI autoriteti bizantin veç bregdetit shtrihej edhe në thellësi të vendit. Më shumë se një përpjekje për të krijuar një lidhje tokësore me metropolet, kontrolli i rrugëve të vjetra romake nepër luginat e lumenjve lidhej me interesin për metalet, veçanërisht për ato të pjesës verilindore të Dardanisë. Dihet me siguri që në fillin të shekullit XI serbët shpesh herë sulmonin Zveçanin dhe Lipjanin dy qendra të fortifikuara. Nga ana tjetër prezenca e vazhdueshme e popullsisë vendase përgjatë këtyre rrugëve provohet nga vendbanimet e rëndësishme arbërore të dëshmuara në Dollc Zym, Ponorc, Koshare, Kusarë, Zitza, Gjonaj, Vermicë, Zatriq etj. Ky fakt duhet lidhur me kujdesin e administratës bizantine për të siguruar transportin e metaleve nga trevat e Dardanisë përmes luginave të Drinit. Komunikimet natyrore dhe kushtet e favorshme të jetesës në rajonin e Kosovës kanë ndihmuar që këto të jenë territore tërheqëse për vendbanime.
Duke iu referuar materialit të publikuar më parë i cili vjen me origjinë nga ekspeditat survejuese në terren si dhe nga gërmimet arkeologjike mendojmë qendrat e periudhës së hershme mesjetare përfshijnë disa vendbanime të tipit qytezë të cilat janë me origjine nga antikiteti i vonë ku në brendësi të tyre janë ndërtuar objekte kishtare të shekujve IX-XI, siç mund të veçojmë qendrat në Prizren, Ujmirë, Dollc, Harillaq, Vlashnje, Pejë, Pecë, etj., Kalimi nga strukturat e administratës kishtare të fazës së parë (deri në fundin e shek. VI- fillimin e shek. VII) në atë të fazës së dytë, që dokumentohet në shek. IX – X sigurisht nuk duhet të jetë bërë menjëhere.
Periudha e mesjetës së hershme është karakterizuar nga ndërtimi i disa kishave të vogla.
Me i rëndësishëm akoma është fakti i vazhdimësisë kishtare, e cila lidhet me qëndresën e komuniteteve të hershme të krishtera.
Sllavët e pranuan krishtërimin vetëm pas mesin e shek.IX, kur bullgarët u kthyen të krishterë me vendim të carit të tyre Boris, ndërkohë që popullsia shqiptare e Kosovës ishte plotësisht e formuar gjatë dyndjes së fundit bullgare të gjysmës së dytë të shek. IX.
Siç vërehet nga kjo ekspoze e shkurtër, hulumtimet rreth shekujve të errët të mesjetës kanë nevojë për një thellim të mëtutjeshëm e më serioz në mënyrë që të sqarohen një sërë problemesh që lidhen me këtë fushë kaq të rëndësishme të historisë ballkanike.
____
(*) Prof. Luan Përzhita është një studiues, arkeolog dhe historian nga Shqipëria.
Kumtesa është mbajtur në Manifestimin Kulturor e Shkencor „Takimet e Dom Mikelit“ në vitin 2013. Kryetar i Këshillit Organizativ të „Takimeve të Dom Mikelit“ ishte Don Albert Jakaj.
