Freitag, März 13, 2026

20 tetor – Dita 98. Botërore e Misionit 2024

Share

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT
PËR DITËN BOTËRORE TË MISIONIT 2024

20 tetor 2024

„Shkoni e thirrini të gjithë në dasmë“ (krh. Mt 22,9)

Të dashur vëllezër e motra!
Tema që kam zgjedhur për Ditën Botërore të Misionit të këtij viti është marrë nga
shëmbëlltyra ungjillore e gostisë së dasmës (krh. Mt 22,1-14). Pasi të ftuarit e kanë refuzuar ftesën, mbreti, protagonisti i tregimit, u thotë shërbëtorëve të tij: «Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë» (rr. 9). Duke reflektuar mbi këtë fjalë-kyçe, në kontekstin e shëmbëlltyrës dhe jetës së Jezusit, mund të nxjerrim në pah disa aspekte të rëndësishme të ungjillëzimit. Ato zbulohen si veçanërisht të rëndësishme për të gjithë ne, dishepuj-misionarë të Krishtit, në këtë fazë përfundimtare të rrugëtimit sinodal, i cili, në përputhje me moton “Bashkim, pjesëmarrje, mision”, duhet t’i japë sërish hov Kishës drejt angazhimit të saj parësor, domethënë shpalljes së Ungjillit në botën bashkëkohore.

1. “Shkoni e thirrni!”. Misioni si dalje dhe thirrje, e palodhshme, për në festën e Zotit

Në fillim të urdhrit që mbreti u jep shërbëtorëve të vet, janë dy folje që shprehin thelbin e misionit: “shkoni” dhe “thirrni”, në kuptimin e “ftesës” .
Për sa i përket së parës, duhet kujtuar se që më parë shërbëtorët ishin dërguar për të përcjellë mesazhin e mbretit për të ftuarit (krh. rr. 3-4). Kjo na tregon se misioni është një vajtje e palodhur drejt mbarë njerëzimit për ta ftuar atë që të takohet e të bashkohet me Hyjin. E palodhshme! Hyji, i madh në dashuri dhe i pasur në mëshirë, është gjithmonë në dalje drejt çdo njeriu për ta thirrur në lumturinë e Mbretërisë së tij, pavarësisht shpërfilljes apo refuzimit.
Jezu Krishti, bari i mirë dhe i dërguar nga Ati, shkonte në kërkim të deleve të humbura të popullit të Izraelit dhe dëshironte të kalonte më tej për të arritur edhe delet më të largëta (krh. Gjn 10,16). Ai u ka thënë dishepujve: “Shkoni!”, si para ashtu edhe pas ngjalljes së tij, duke i përfshirë në misionin e vet (krh. Lk 10,3; Mk 16,15). Për këtë arsye, Kisha do të vazhdojë të shkojë përtej çdo kufiri, duke dalë përsëri e përsëri pa u lodhur e pa u shkurajuar përballë vështirësive dhe pengesave, për të kryer me besnikëri misionin që i është dhënë nga Zotëria.
Gjej rastin të falënderoj misionarët që, duke iu përgjigjur thirrjes së Krishtit, kanë lënë gjithçka për të shkuar larg atdheut të tyre e për të çuar Lajmin e Mirë atje ku njerëzit ende nuk e kanë marrë ose e kanë marrë së fundmi. Shumë të dashur, përkushtimi juaj bujar është shprehja e prekshme e përkushtimit ndaj misionit ad gentes që Jezusi ua besoi dishepujve të tij: «Shkoni e bëni dishepuj të mi të gjithë popujt» (Mt 28,19). Andaj, të vazhdojmë duke u lutur e duke falënderuar Hyjin për thirrjet e reja dhe të shumta misionare përmes veprës së ungjillëzimit deri në skajet e tokës.
E të mos harrojmë se çdo i krishterë është i thirrur që të marrë pjesë në këtë mision universal me dëshminë e vet ungjillore në çdo mjedis, në mënyrë që e gjithë Kisha të dalë vazhdimisht me Zotërinë dhe Mësuesin e vet drejt “udhëkryqeve” të botës së sotme. Po, «sot drama e Kishës është se Jezusi vazhdon të trokasë në derë, por nga brenda, që ta lëmë të dalë jashtë!
Shumë herë jemi një Kishë […] që nuk e lë Zotin të dalë, por e mban atë si “diçka të veten”, ndërsa Zoti ka ardhur për mision dhe na do misionarë» (Fjalimi drejtuar pjesëmarrësve në konferencën e promovuar nga Dikasteri për laikët, familjen dhe jetën, 18 shkurt 2023). Uroj që të gjithë ne, të pagëzuarit, të jemi të gatshëm për t’u nisur sërish, secili sipas kushteve të veta të jetës, për të përftuar një lëvizje të re misionare, si në agimin e krishterimit!
Duke iu kthyer urdhrit që mbreti u jep shërbëtorëve, te shëmbëlltyra, vajtja shkon së bashku me thirrjen ose, më saktë, me ftesën: «Ejani në dasmë!» (Mt 22,4). Kjo gjë na lë të kuptojmë një aspekt tjetër jo më pak të rëndësishëm të misionit që Hyji na beson. Siç mund të merret me mend, ata shërbëtorë-lajmëtarë përcjellin ftesën e sovranit me urgjencë, por edhe me shumë respekt e dashamirësi. Në të njëjtën mënyrë, misioni i përçimit të Ungjillit te çdo krijesë duhet të ketë domosdoshmërisht të njëjtin stil të Atij që kumtohet. Duke ia shpallur botës «bukurinë e dashurisë shpëtimtare të Hyjit të zbuluar në Jezu Krishtin e vdekur e të ngjallur» (Thirrja apostolike Evangelii gaudium, 36), dishepujt-misionarë e bëjnë këtë gjë me gëzim, zemërgjerësi, dashamirësi, fryt i Shpirtit Shenjt që jeton në ta (krh. Gal 5,22); pa sforcim, detyrim, prozelitizëm; gjithmonë me afërsi, dhembshuri dhe butësi, të cilat pasqyrojnë mënyrën e të qenit e të veprimit të Hyjit.

2. Në dasmë. Perspektiva eskatologjike dhe eukaristike e misionit të Krishtit dhe Kishës

Te shëmbëlltyra, mbreti u kërkon shërbëtorëve që të përcjellin ftesën për në gostinë e dasmës së djalit të tij. Kjo gosti pasqyron atë eskatologjike, është një shëmbëllesë e shpëtimit përfundimtar në Mbretërinë e Hyjit, i realizuar tashmë me ardhjen e Jezusit, Mesi e Bir i Hyjit, i cili na e ka dhënë jetë me bollëk (krh. Gjn 10,10), e simbolizuar nga tryeza e mbushur «me ushqime të shijshme, me verëra të moçme», kur Hyji «do ta zhdukë vdekjen
përgjithmonë» (Is 25,6-8).
Misioni i Krishtit është ai i plotësisë së kohës, siç e ka shpallur Ai vetë në fillim të predikimit të tij: «Koha u plotësua dhe mbretëria e Hyjit është afër» (Mk 1,15). Kështu, dishepujt e Krishtit janë të thirrur që të vazhdojnë të njëjtin mision të Mësuesit dhe Zotërisë së tyre. Në këtë drejtim, vlen të kujtojmë mësimin e Koncilit II të Vatikanit mbi karakterin eskatologjik të angazhimit misionar të Kishës: «Periudha e veprimtarisë misionare shtrihet midis ardhjes së parë dhe të dytë të Krishtit […]. Kësisoj, përpara ardhjes së Zotit, Ungjilli duhet t’u shpallet të gjitha kombeve» (Dek. Ad gentes, 9).
E dimë se zelli misionar ndër të krishterët e parë kishte një përmasë të fortë eskatologjike. Ata e ndjenin urgjencën e shpalljes së Ungjillit. Edhe sot është e rëndësishme që ta kemi parasysh këtë perspektivë, sepse na ndihmon të ungjillëzojmë me gëzimin e atyre që e dinë se «Zoti është afër» dhe me shpresën e atyre që zgjaten drejt cakut, aty ku të gjithë do të jemi me Krishtin në gostinë e dasmës së tij, në Mbretërinë e Hyjit. Ndërsa bota ofron “gostitë” e ndryshme të konsumizmit, mirëqenies egoiste, të akumulimit, të individualizmit, Ungjilli i thërret të gjithë për në gostinë hyjnore ku mbretëron gëzimi, bashkëndarja, drejtësia, vëllazëria, në bashkim me Hyjin e me të tjerët.
Kjo plotësi e jetës, dhuratë e Krishtit, është e hershuar tashmë në gostinë e Eukaristisë, të cilën Kisha e kremton nën mandatin e Zotërisë në përkujtim të Tij. Kësisoj, ftesa për në gostinë eskatologjike është e lidhur sëbrendshmi me ftesën për në tryezën eukaristike, ku Zoti na ushqen me Fjalën e tij dhe me Trupin e Gjakun e tij. Siç ka mësuar Benedikti XVI, «në çdo Kremtim eukaristik realizohet, në mënyrë sakramentale, bashkimi eskatologjik i Popullit të Hyjit. Gostia eukaristike është për ne një hershim i njëmendtë i gostisë përfundimtare të përshkruar në Besëlidhjen e Re si “dasma e Qengjit” (Zb 19,7.9), që kremtohet në gëzimin e shoqërisë së shenjtërve» (Nxit. ap. pas sinodale Sacramentum Caritatis, 31).
Prandaj, të gjithë jemi të thirrur për ta jetuar më fort çdo Eukaristi në të gjitha përmasat e saj, veçanërisht në atë eskatologjike dhe misionare. Përsëris, lidhur me këtë, se «nuk mund t’i afrohemi Tryezës eukaristike pa lejuar që të tërhiqemi brenda lëvizjes së misionit, i cili, duke buruar nga vetë Zemra e Hyjit, synon t’i arrijë të gjithë njerëzit» (po aty, 84). Përtëritja eukaristike, të cilën shumë Kisha vendore po e promovojnë në mënyrë të lavdërueshme në periudhën pas Covid-it, do të jetë gjithashtu themelore për të rizgjuar frymën misionare te çdo besimtar. Me sa besim e entuziazëm zemre do duhej shqiptuar në çdo meshë brohoritja: «Kumtojmë vdekjen tënde, o Zot, shpallim ngjalljen tënde dhe presim ardhjen tënde me lumturi»!
Në këtë perspektivë, në vitin kushtuar lutjes në përgatitje të Jubileut të 2025-ës, dëshiroj t’i ftoj të gjithë që ta intensifikojnë edhe e mbi të gjitha pjesëmarrjen në Meshë e në lutje për misionin ungjillëzues të Kishës. Ajo, e dëgjueshme ndaj fjalës së Shpëtimtarit, nuk resht së lartësuari drejt Atit, në çdo kremtim eukaristik e liturgjik, lutjen Ati ynë me thirrjen «Ardhtë mbretëria jote». Kështu lutja e përditshme dhe veçanërisht Eukaristia na bëjnë shtegtarë-misionarë të shpresës, në rrugëtim drejt jetës së pafundme në Hyjin, drejt gostisë së dasmës që Hyji ka përgatitur për të gjithë bijtë e tij.

3. “Të gjithë”. Misioni universal i dishepujve të Krishtit në Kishën plotësisht sinodale-misionare

Reflektimi i tretë dhe i fundit ka të bëjë me marrësit e ftesës së mbretit: «të gjithë». Siç e kam nënvizuar, «kjo gjë është në qendër të misionit: kjo “të gjithë”. Pa përjashtuar askënd. Të gjithë. Çdo mision yni, kësisoj, lind nga Zemra e Krishtit dhe synon që Ai t’i tërheqë te vetja të gjithë» (Fjalimi drejtuar pjesëmarrësve në Asamblenë e Përgjithshme të Veprave të Misionit Papnor, 3 qershor 2023). Edhe sot, në një botë të copëtuar nga përçarjet dhe konfliktet, Ungjilli i Krishtit është zëri i butë e i fortë që i thërret njerëzit për t’u takuar, për t’u njohur në mënyrë të ndërsjellët si vëllezër e për t’u gëzuar në harmoninë e ndryshmërisë. Hyji dëshiron «që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe ta arrijnë njohjen e së vërtetës» (1 Tim 2,4). Prandaj, të mos harrojmë kurrë, në veprimtaritë tona misionare, se jemi të dërguar për t’ua shpallur Ungjillin të gjithëve dhe «jo si ai që imponon një detyrim të ri, por si ai që bashkëndan një gëzim, tregon një horizont të bukur, ofron një gosti të dëshirueshme» (Nxit. ap. Evangelii gaudium, 14).
Dishepujt-misionarë të Krishtit kanë gjithmonë në zemrat e tyre shqetësimin për të gjithë njerëzit të çdo gjendjeje shoqërore apo edhe morale. Shëmbëlltyra e gostisë na tregon se, shërbëtorët, duke ndjekur porosinë e mbretit, «sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij» (Mt 22,10). Për më tepër, pikërisht «lypësit, të gjymtit, të verbrit e të shqeptët» (Lk 14,21), domethënë të fundmit e të mënjanuarit e shoqërisë, janë të ftuarit e veçantë të mbretit. Kështu, gostia e dasmës së Birit që Hyji ka përgatitur, mbetet përgjithmonë e hapur për të gjithë, sepse dashuria e tij për secilin prej nesh është e madhe dhe e pakushtëzuar. «Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, kushdo që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur» (Gjn 3,16). Kushdo, çdo burrë e çdo grua është marrësi i ftesës së Hyjit për të marrë pjesë në hirin e tij që shndërron e shpëton. Ne vetëm duhet t’i themi “po” kësaj dhurate hyjnore falas, duke e mirëpritur atë dhe duke lejuar që të shndërrohemi prej saj, duke e veshur si “petkun e dasmës” (krh. Mt 22,12).
Misioni ndaj të gjithëve kërkon angazhimin e të gjithëve. Prandaj është e nevojshme të vazhdohet ecja drejt një Kishe tërësisht sinodale-misionare në shërbim të Ungjillit.
Sinodaliteti është në vetvete misionar dhe, anasjelltas, misioni është gjithmonë sinodal.
Prandaj, bashkëpunimi i ngushtë misionar është sot edhe më urgjent dhe i domosdoshëm në Kishën universale si dhe në Kishat vendore. Në vazhdën e Koncilit II të Vatikanit dhe Paraardhësve të mi, ua rekomandoj të gjitha dioqezave të botës shërbimin e Veprave të Misionit Papnor, që përbëjnë mjetet kryesore «si për të rrënjosur te katolikët, që në moshë të re, një shpirt vërtet universal e misionar ashtu edhe për të përkrahur një mbledhje të përshtatshme mjetesh ndihmëse në dobi të të gjitha misioneve dhe sipas nevojave të secilës» (Dek. Ad gentes, 38). Për këtë arsye, të gjitha ofertat e Ditës Botërore të Misionit, në të gjitha Kishat vendore, i shkojnë Fondit universal të solidaritetit, që Vepra Papnore e Përhapjes së Fesë do t’i shpërndajë më pas, në emër të Papës, për nevojat e të gjitha misioneve të Kishës.
T’i lutemi Zotit të na udhëheqë e të na ndihmojë që të jemi një Kishë më sinodale dhe më misionare (krh. Predikimi në Meshën përmbyllëse të Asamblesë së përgjithshme të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, 29 tetor 2023).
Së fundi, le ta kthejmë shikimin kah Maria, e cila nxori prej Jezusit mrekullinë e parë pikërisht në një dasmë në Kanë të Galilesë (krh. Gjn 2,1-12). Zoti u ofroi të porsamartuarve dhe të gjithë të ftuarve, bollëkun e verës së re, shenjë e hershuar e gostisë së dasmës që Hyji përgatit për të gjithë në mbarim të kohës. Ta kërkojmë përsëri sot ndërmjetësimin e saj amnor për misionin ungjillëzues të dishepujve të Krishtit. Me gëzimin dhe përkujdesjen e Nënës sonë, me forcën e butësisë dhe dashurisë (krh. Evangelii gaudium, 288), le të shkojmë e t’ua përcjellim të gjithëve ftesën e Mbretit Shpëtimtar. Shën Mari, Ylli i ungjillëzimit, lutu për ne!

Romë, Shën Gjoni në Lateran,
25 janar 2024, Festa e kthimit të Shën Palit.
FRANÇESKU

Më shumë artikuj

Lajmet lokale

Translate »