Montag, Oktober 27, 2025

Papa Françesku – Porosia për Pashkë 2025

Share

MESAZHI URBI ET ORBI
I SHENJTËRISË SË TIJ, ATIT TË SHENJTË FRANÇESKU
PASHKË 2025

E diel, 20 prill 2025

Krishti u Ngjall, aleluja!
Vëllezër e motra, Gëzuar Pashkët!

Sot në Kishë, më në fund, jehon Aleluja – përçohet nga goja në gojë, nga zemra në zemër, dhe kënga e saj sjell lot gëzimi në sytë e popullit të Zotit në mbarë botën. Nga varri i zbrazët në Jerusalem arrin deri tek ne lajmi i padëgjuar: Jezusi, i Kryqëzuari, “nuk është këtu – u Ngjall” (Lk 24,6). Ai nuk është në varr – Ai është i gjallë!
Dashuria ka mposhtur urrejtjen. Drita ka fituar mbi errësirën. E vërteta ka mposhtur gënjeshtrën. Falja ka triumfuar mbi hakmarrjen. E keqja nuk është zhdukur nga historia jonë – ajo do të jetë e pranishme deri në fund – por nuk sundon më, nuk ka më fuqi mbi ata që e pranojnë hirin e kësaj dite.
Motra dhe vëllezër, veçanërisht ju që vuani, ju që jeni në ankth dhe dhimbje: thirrja juaj e heshtur është dëgjuar, lotët tuaj janë mbledhur –asnjë nuk është humbur! Në mundimet dhe vdekjen e Jezu Krishtit, Zoti e ka marrë mbi vete gjithë të keqen e botës dhe me mëshirën e tij të pamasë e ka mposhtur: ka çrrënjosur krenarinë djallëzore që helmon zemrën e njeriut dhe shpërndan dhunë e prishje gjithandej. Qengji i Zotit ka fituar! Prandaj sot brohorasim: “Shpresa ime është Ngjallur, Krishti, Zoti im dhe gjithçka për mua!” (Pasthirrma e Pashkëve).
Po, Ngjallja e Jezusit është themeli i shpresës: nga kjo ngjarje e tutje, të shpresosh nuk është më iluzion. Jo! Falë Krishtit të kryqëzuar dhe të ngjallur, shpresa nuk zhgënjen! Spes non confundit! (krh. Rom 5,5). Dhe kjo nuk është arratisje nga realiteti, por një shpresë që angazhon; nuk është e huaj për jetën, por ajo që e bën njeriun të përgjegjshëm.
Ata që shpresojnë te Zoti, vendosin duart e tyre të brishta në dorën e madhe dhe të fuqishme të Tij, lejojnë që Ai t’i ngrejë dhe nisen në rrugë: bashkë me Jezusin e Ngjallur bëhen shtegtarë të shpresës, dëshmitarë të fitores së Dashurisë, fuqisë së pambrojtur të Jetës.
Krishti është Ngjallur! Në këtë lajm qëndron kuptimi i plotë i ekzistencës sonë – ne nuk jemi krijuar për vdekje, por për jetë. Pashka është solemniteti i jetës! Zoti na ka krijuar për të jetuar dhe dëshiron që njerëzimi të ringjallet! Në sytë e Tij, çdo jetë është e çmuar – jeta e një foshnjeje në barkun e nënës, si dhe jeta e të moshuarve dhe të sëmurëve, të cilët në gjithnjë e më shumë vende shihen si njerëz të cilët mund të hidhen.
Sa shumë vullnet për vdekje shohim çdo ditë në shumë konflikte që përfshijnë zona të ndryshme të botës! Sa shumë dhunë shohim, shpesh edhe brenda familjeve, ndaj grave dhe fëmijëve! Sa përçmim u tregohet nganjëherë më të dobëtëve, të përjashtuarve, emigrantëve!
Në këtë ditë, dëshiroj që të mësojmë sërish të shpresojmë dhe të kemi besim tek të tjerët – edhe tek ata që nuk janë të afërt me ne, që vijnë nga vende të largëta, me zakone, mënyra jetese, ide dhe kultura të ndryshme – sepse të gjithë jemi fëmijë të Zotit!
Dëshiroj që të rikthehemi në shpresën se paqja është e mundur! Qoftë që nga Varri i Shenjtë, Kisha e Ngjalljes – ku këtë vit katolikët dhe ortodoksët festojnë Pashkët në të njëjtën ditë – të ndriçojë drita e paqes mbi gjithë Tokën e Shenjtë dhe mbi gjithë botën. Shpreh afërsinë time në vuajtje me të krishterët në Palestinë dhe Izrael, si edhe me gjithë popullin izraelit dhe palestinez. Më shqetëson klima në rritje e antisemitizmit që përhapet në mbarë botën. Mendimet e mia shkojnë edhe te banorët, veçanërisht komuniteti i krishterë në Gaza, ku konflikti i tmerrshëm vijon të shkaktojë vdekje dhe shkatërrim, duke krijuar një situatë dramatike dhe të padenjë humanitare. U bëj thirrje palëve ndërluftuese: ndalni zjarrin, lironi pengjet dhe ndihmoni popullin – popullin që po vuan urinë dhe që dëshiron një të ardhme paqësore!
Le të lutemi për komunitetet e krishtera në Liban dhe Siri, të cilat – ndërsa kjo e fundit po kalon një fazë të ndjeshme të historisë së saj – synojnë stabilitetin dhe pjesëmarrjen në ndërtimin e atdheut të tyre. I ftoj të gjithë Kishën që me vëmendje dhe lutje të ndjekë të krishterët në Lindjen e Mesme të dashur.
Në mënyrë të veçantë mendoj për popullin e Jemenit, i cili po përjeton një nga krizat humanitare më të gjata në botë për shkak të luftës, dhe i bëj thirrje të gjithëve të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut konstruktiv. Qoftë që Krishti i Ngjallur të derdhë dhuratën e paqes mbi Ukrainën e vuajtur dhe të inkurajojë të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë përpjekjet drejt arritjes së një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Në këtë solemnitet, le të kujtojmë edhe Kaukazin Jugor dhe të lutemi që së shpejti të nënshkruhet dhe të zbatohet një marrëveshje përfundimtare paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, që do të sjellë pajtimin e shumëdëshiruar në atë rajon.
Qoftë që drita e Pashkës të frymëzojë një frymë harmonie në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të mbështesë aktorët politikë në përpjekjet e tyre për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve dhe krizave, si dhe partnerët e rajonit në refuzimin e sjelljeve të rrezikshme dhe destabilizuese.
Krishti i Ngjallur, shpresa jonë, le të sjellë paqe dhe ngushëllim për popujt afrikanë të prekur nga dhuna dhe konfliktet, veçanërisht në Republikën Demokratike të Kongos, Sudanit dhe Sudanit të Jugut, dhe le të mbështesë ata që vuajnë për shkak të tensioneve në rajonin e Sahelit, në Bririn e Afrikës dhe në Rajonin e Liqeneve të Mëdha, si dhe të krishterët që në shumë vende nuk mund të ushtrojnë lirshëm fenë e tyre. Nuk ka paqe aty ku nuk ka liri fetare, as liri mendimi e shprehjeje, dhe as respekt për qëndrimin e tjetrit.
Nuk ka paqe pa çarmatimin e vërtetë! Nevoja e çdo kombi për të siguruar mbrojtjen e vet nuk duhet të shndërrohet në një garë të përgjithshme armatimesh. Drita e Pashkës na nxit të shembim barrierat që krijojnë ndarje dhe që kanë pasoja të rënda politike dhe ekonomike. Na nxit të kujdesemi për njëri-tjetrin, të forcojmë solidaritetin dhe të punojmë për zhvillimin gjithëpërfshirës të çdo personi njerëzor.
Në këtë kohë, nuk duhet të mungojë ndihma jonë për popullin e Mianmarit, i cili prej vitesh është i goditur nga konflikti i armatosur, dhe që tani, me guxim dhe durim, po përballon pasojat e një tërmeti shkatërrues në rajonin Sagaing, që mori mijëra jetë dhe shkaktoi vuajtje për shumë të mbijetuar, ndër ta edhe jetimë dhe të moshuar. Le të lutemi për viktimat dhe familjet e tyre dhe të falënderojmë me zemër të gjithë vullnetarët bujarë që po ofrojnë ndihmë. Njoftimi për armëpushim nga disa palë në atë vend është një shenjë shprese për të gjithë Mianmarin.
U bëj thirrje të gjithë atyre që mbajnë përgjegjësi politike në botë: mos bini pre e logjikës së frikës që mbyll, por shfrytëzoni mjetet në dispozicion për të ndihmuar ata që janë në nevojë, për të luftuar urinë dhe për të promovuar nisma që nxisin zhvillimin. Këto janë “armët” e paqes: ato që ndërtojnë të ardhmen, në vend që të përhapin vdekjen!
Le të mos zhduket kurrë parimi i njerëzimit si qendra e veprimit tonë të përditshëm. Përballë mizorisë së konflikteve që prekin civilë të pafajshëm, që rrëzojnë shkolla dhe spitale, që sulmojnë punonjës humanitarë, nuk duhet të harrojmë se nuk preken objekte, por njerëz – njerëz me shpirt dhe dinjitet. Në këtë Vit Jubilar, Pashka qoftë rast edhe për lirimin e të burgosurve të luftës dhe të burgosurve politikë!
Të dashur vëllezër e motra, në Ngjalljen e Zotit, jeta dhe vdekja u përballën në një betejë të mrekullueshme – por Zoti tashmë jeton përgjithmonë (krh. Pasthirrma e Pashkëve) dhe na jep sigurinë se edhe ne jemi të thirrur të marrim pjesë në jetën që nuk perëndon, ku nuk do të dëgjohen më kërcitje armësh as jehona vdekjeje. T’i besojmë Atij që është i vetmi i bën të reja të gjitha gjërat (krh. Zb 21,5)!

Gëzuar Pashkë të gjithëve!
Françesku

Më shumë artikuj

Lajmet lokale

Translate »