Mons Mate Uzinić: Porosia për Pashkë 2026

Share

„Paqja qoftë me ju! Ashtu siç më dërgoi Ati, edhe unë ju dërgoj ju.“ (Gjn 20-21)

Motra dhe vëllezër të dashur,
në kohën tonë shpesh kemi ndjesinë se zhurma e së keqes mbulon heshtjen e së mirës. Luftërat dhe trazirat, dhuna dhe padrejtësitë, grindjet dhe ndarjet… Lajmet negative pasohen njëra-tjetrës pa pushim dhe në ne krijojnë shqetësim dhe dëshpërim. Kur i shtojmë edhe shqetësimet personale, sëmundjet dhe paaftësitë, si dhe vështirësitë e tjera të jetës, me të drejtë pyesim nëse ka ende vend në këtë botë për lajmin e gëzueshëm për ringjalljen e Jezusit?

Por a nuk ishte ndoshta e ngjashme edhe atë mëngjes të Pashkës? Gratë shkojnë në varr plot trishtim dhe frikë. Nuk shkojnë për të pritur një mrekulli, por për të lyer me aromë trupin e vdekur të Jezusit dhe duke përfunduar kështu përgatitjen e trupit të Tij të vdekur për varrim. Dhe pastaj ata hasin një gur të rrotulluar dhe dëgjojnë pyetjen që na është drejtuar edhe ne sot: „Pse kërkoni të gjallin midis të vdekurve?“ (Lk 24,5). Mes shenjave të vdekjes që shohim rreth vetes, kjo pyetje tingëllon edhe në kohët e sotme: a do të ndalemi tek vuajtja apo do të guxojmë të besojmë që kryqi nuk është fundi?

Nuk ishin vetëm gratë që shkuan te varri të thelloheshin në pikëllim dhe frikë, por edhe dishepujt e tjerë të Jezusit të bashkuar pas „dyerve të mbyllura“. Por, ashtu si guri i varrit, as dyert e mbyllura nuk janë pengesë për Krishtin e ngritur nga të vdekurit. Ai hyn tek ata dhe u dhuron paqe duke thënë: „Paqja qoftë me juve!“ (Gjn 20,19).

Paqja që dhuron i Ringjalluri nuk është arratisje nga realiteti, por forcë për t’u përballur me të pa frikë. Pashkët nuk e përjashtojnën dhunën dhe të keqen, por janë përgjigje e Hyjit ndaj së keqes: në vend të hakmarrjes ofrojnë falje, në vend të urrejtjes – dashuri që shërben. Ajo nuk premton jetë pa kryqe dhe plagë, por besim që Hyji mund dhe dëshiron të transformojë çdo kryq dhe çdo plagë, të fshijë çdo lot. Dashuria e Zotit, e cila në Jezusin Krishtin kaloi përmes kryqit dhe errësirës, nuk lejon që vuajtja dhe vdekja të kenë fjalën e fundit. Krishti është i gjallë. Dhe ne, përmes pagëzimit së bashku me të „varrosur në vdekje“, besojmë „se edhe ne do të jetojmë së bashku me të“ (Rom 6,4.8).

Sikurse Maria Magdalena, ashtu edhe nxënësit përjetuan praninë e të Ngjallurit, Jezusi edhe ne sot na dërgon të jemi dëshmitarë dhe shpallës të ngjalljes së tij. Mesazhi i ngjalljes, i cili transformon ekzistencën tonë dhe pastaj gjithë botën, nuk mund dhe nuk duhet të mbetet pas „dyerve të mbyllura“. Po ashtu, nuk duhet të mbetet vetëm fjalë, por duhet të mishërohet në përballimin me guxim të vuajtjeve dhe padrejtësive, si në jetët tona ashtu edhe në jetët e të tjerëve. Të mbajmë Krishtin e ngjallur në botë do të thotë të sjellim shpresë dhe ndihmë për të varfërit, të vuajturit, të përjashtuarit dhe viktimat e konflikteve ushtarake në mbarë botën. Kujdesi për njeriun i përket vetë thelbit të besimit krishterë. Ai dëshmon që vdekja nuk ka fjalën e fundit – sepse Krishti është i gjallë. Ky është udhëtimi i „paqes së çarmatueshme që çarmatos“, siç thotë Papa Luan XIV.

Këtë Pashkë e jetojmë edhe në një kohë të veçantë: në vitin jubilar të Kishës sonë lokale, ndërsa shënojmë njëqindvjetorin e Arqidioqezës së Rijekës, dhe në vitin e 800-vjetorit të vdekjes së Shën Françeskut të Asizit. Frymëzuar nga shembulli i tij dhe shembulli i shumë dëshmitarëve të heshtur të së mirës në dioqezën tonë, le të jemi edhe ne njerëz të ngjalljes, ata që përhapin lajmin e gëzuar për Krishtin që jeton!

Le të lejojmë Shpirtin e Shenjtë të bëjë tek ne atë që vetë nuk mundemi: të kthejë frikën në guxim, indiferencën në dhembshuri, dhe të keqen në të mirë. Të mbështetur nga Shpirti dhe lajmi i gëzuar i ngjalljes, le të jemi njerëz të paqes, të bashkimit dhe shpresës: ata që me jetën e tyre dëshmojnë se heshtja e dobishme është më e fuqishme se zhurma e së keqes.

Gëzuar dhe bekuar Pashkë për të gjithë!

Në Rjekë më Pashkë 2026.
Mate Uzinić,
Arqipeshkëv i Rjekës

© Përktheu: dAJ.
Burimi i Lajmit: Arqipeshkvia e Rijekës

Më shumë artikuj

Lajmet lokale