Sonntag, November 9, 2025

Mesazhi i Papa Françeskut për Kreshmët 2025

Share

Të ecim së bashku në shpresë

Të dashur vëllezër dhe motra!

Me shenjën pendestare të shpërndarjes së hirit mbi krye, fillojmë, me besim dhe shpresë, pelegrinazhin tonë të përvitshëm kreshmor. Kisha, nëna dhe mësuesja jonë, na fton të përgatisim zemrat tona dhe të hapemi ndaj hirit të Zotit, që të mund të kremtojmë me gëzim të madh fitoren pashkore të Krishtit Zot mbi mëkatin dhe vdekjen dhe të brohorasim me shën Palin: «Fitorja e përpiu vdekjen. Ku është, o vdekje, fitorja jote? Ku është, o vdekje, thumbi yt?» (1 Kor 15, 54-55). Jezu Krishti, i kryqëzuar dhe i ngjallur, është qendra e fesë sonë dhe garancia e shpresës sonë në premtimin e madh të Atit, tashmë të përmbushur në Birin e tij të dashur, që është jeta e përjetshme (krh. Gjn 10, 28; 17, 3).

Në këto Kreshmë, të pasuruara me hirin e Vitit Jubilar, dëshiroj të ofroj disa reflektime mbi domethënien e ecjes së përbashkët në rrugën e shpresës dhe të zbuloj thirrjet për kthim në të cilat na fton Zoti me mëshirën e tij, si individë dhe si bashkësi.
Para së gjithash, të ecim. Motoja e Jubileut, “Pelegrinë të shpresës”, na sjell në mendje udhëtimin e gjatë të popullit izraelit drejt Tokës së Premtuar, të përshkruar në Librin e Daljes. Ky udhëtim i mundimshëm, nga skllavëria në liri, u desh dhe u drejtua nga Zoti, i cili e do popullin e tij dhe i qëndron gjithmonë besnik. Nuk mund të kujtojmë këtë eksod biblik pa menduar për vëllezërit dhe motrat tona të kohës sonë, që largohen nga varfëria dhe dhuna në kërkim të një jete më të mirë për veten dhe të dashurit e tyre. Këtu shfaqet thirrja e parë për kthim: sepse të gjithë ne jemi pelegrinë në këtë jetë, por secili mund të pyesë veten: A më sfidon ky realitet? A jam vërtet në rrugë, apo më ndalon diçka? A më mban vendnumëro frika, pasiviteti apo rehatia ime? A kërkoj rrugët e çlirimit nga situatat e mëkatit dhe mungesës së dinjitetit? Do të ishte e dobishme që gjatë Kreshmëve të krahasonim përditshmërinë tonë me jetën e një migranti apo pelegrini, për të mësuar të bashkëndjejmë me përvojat e tyre dhe kështu të zbulojmë çfarë kërkon Zoti prej nesh për të përparuar në udhën tonë drejt shtëpisë së Atit. Kjo do të ishte një “provë” e mirë për këdo që është në rrugëtim.
Së dyti, është një udhëtim i përbashkët. Të ecësh së bashku, të jesh sinodal, është thirrja e Kishës. Të krishterët janë të thirrur të ecin me të tjerët, jo kurrë si udhëtarë të vetmuar. Shpirti Shenjt na nxit të dalim nga vetja, të shkojmë drejt Zotit dhe vëllezërve e motrave tona, dhe të mos mbyllemi kurrë në vetvete. Të ecësh së bashku do të thotë të ndërtosh unitet mbi dinjitetin tonë të përbashkët si bij të Hyjit (krh. Gal 3, 26-28). Do të thotë të shkojmë përkrah njëri-tjetrit, pa shtyrë apo shkelur të tjerët, pa zili apo hipokrizi, duke mos lejuar që dikush të mbetet pas apo të ndihet i përjashtuar. Ecim në të njëjtin drejtim, synojmë të njëjtin qëllim, duke dëgjuar njëri-tjetrin me dashuri dhe durim.
Në këto Kreshmë, Zoti na kërkon të shqyrtojmë a dimë të ecim së bashku me të tjerët në jetën tonë të përditshme, në familjet tona, në vendet e punës, në komunitetet tona kishtare apo rregulltare. A dimë t’i dëgjojmë të tjerët dhe të kapërcejmë tundimin për të qenë të përqendruar vetëm te vetja dhe nevojat tona? A dimë të punojmë së bashku si ipeshkvij, meshtarë, persona të kushtuar dhe laikë në shërbim të Mbretërisë së Zotit? A i presim njerëzit me mirëseardhje të shprehur në gjeste konkrete? A i bëjmë ata të ndihen pjesë e komunitetit apo i mbajmë në periferi? Kjo është thirrja e dytë: kthimi në sinodalitet.
Së treti, të ecim së bashku në shpresë, sepse na është dhënë një premtim. Shpresa që nuk zhgënjen (krh. Rom 5, 5) është mesazhi qendror i Jubileut dhe le të jetë horizonti i udhëtimit tonë kreshmor drejt fitores së Pashkëve. Siç na mësoi Papa Benedikti XVI në enciklikën Spe salvi, “njeriu ka nevojë për një dashuri të pakushtëzuar. Ai ka nevojë për sigurinë që mund të thotë lirisht: ‘As vdekja, as jeta, as engjëjt, as principatat, as e tashmja, as e ardhmja, as fuqitë, as thellësia, as lartësia, as ndonjë krijesë tjetër nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Hyjit në Krishtin Jezus, Zotin tonë’” (Rom 8, 38-39). Jezusi, shpresa dhe dashuria jonë, është ringjallur! Ai jeton dhe mbretëron në lavdi. Vdekja është shndërruar në fitore, dhe kjo është feja dhe shpresa e madhe e të krishterëve: Ngjallja e Krishtit!
Kjo është thirrja e tretë për kthim: thirrja për shpresë, për t’u mbështetur te Hyji dhe premtimi i tij i madh për jetën e përjetshme. Duhet të pyesim veten: A jam i bindur se Zoti m’i fal mëkatet? Apo sillem sikur mund të shpëtohem vetë? A kërkoj shpëtimin dhe a e thërras Hyjin në ndihmë për ta arritur? A e jetoj në mënyrë konkrete shpresën që më ndihmon të kuptoj ngjarjet historike dhe më nxit të angazhohem për drejtësi, vëllazëri dhe kujdes për shtëpinë tonë të përbashkët, duke mos lënë askënd jashtë?
Vëllezër e motra, falë dashurisë së Hyjit në Jezu Krishtin, Hyji na ruan në shpresën që nuk zhgënjen (Rom 5, 5). Shpresa është “një spirancë e sigurt dhe e fortë për shpirtin”. Le të na shoqërojë dhe ndërmjetësojë për ne Shën Mëria, Nëna e shpresës, në këtë udhëtim të Kreshmëve.

Romë, Shën Gjoni i Lateranit, 6 shkurt 2025, përkujtimi i shenjtërve Pal Miki dhe shokët martirë.
FRANÇESKU

Më shumë artikuj

Lajmet lokale

Translate »