Kardinal Gerhard Müller: Papa Benedikti XVI, bashkëpunëtori i së vërtetës

Share

Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin,
Katër vjet më parë, në festën e Shën Silvestrit, meshtari dhe ipeshkvi Jozef Ratzinger përmbylli shtegtimin e tij tokësor dhe na parapriu në atdheun qiellor. Pas vdekjes nuk na pret vetëm pushimi i përjetshëm dhe lumturia e bekuar. Ne do ta njohim Zotin, i cili na ka zgjedhur që prej përjetësisë në Birin e Tij dhe na ka paracaktuar të marrim pjesë në dashurinë e Tij trinitare. Ne do ta shohim Hyjin ballë për ballë dhe do ta lavdërojmë e do ta duam në bashkimin e të gjithë shenjtorëve të Tij të zgjedhur.
Njohja e Hyjit është qëllimi përfundimtar i çdo përpjekjeje shpirtërore njerëzore. Vetë Jezusi, Fjala e bërë mish, thotë: “Kjo është jeta e amshuar: të të njohin Ty, të vetmin Hyj të vërtetë, dhe Atë që Ti e ke dërguar, Jezu Krishtin” (Gjn 17,3). Ky është Biri që zbulohet si Udhë, e Vërtetë dhe Jetë (krh. Gjn 14,6). Prandaj, të gjithë jemi të përfshirë në planin universal të shpëtimit të Hyjit, sepse Ai dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe të arrijnë njohjen e së vërtetës (krh. 1 Tim 2,4).
Jozef Ratzinger e kuptoi gjithmonë veten si bashkëpunëtor i së vërtetës. Si profesor teologjie dhe si predikues shumë i kërkuar, ai e vuri vazhdimisht veten në shërbim të Fjalës. Si Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, ai vendosi standarde të jashtëzakonshme për magjisterin romak: kujdes maksimal, saktësi intelektuale dhe pakorruptueshmëri. Gjatë pontifikatit të tij, ai ishte një nga teologët më të mëdhenj që ka qëndruar ndonjëherë në Katedrën e Pjetrit.
Ai na ka lënë një trashëgimi teologjike të pamasë dhe me cilësi të jashtëzakonshme dhe me të drejtë është njohur si një nga intelektualët katolikë më të mëdhenj të kohës sonë. Edhe Jürgen Habermas, përfaqësuesi më i njohur i Shkollës neo-marksiste të Frankfurtit, i cili mishëron botën intelektuale të një moderniteti pa Zotin, kërkoi dialog me të, që besimtarët dhe jobesimtarët të mund të bashkëpunonin për ta shpëtuar botën moderne nga vdekja e ftohtë e antihumanizmit dhe transhumanizmit.
Kur ia dorëzova Papës Benedikti vëllimin e parë të opera omnia, e informova për planin e gjashtëmbëdhjetë vëllimeve, që parashikohej të arrinin rreth 25.000 faqe. Në vend që të shprehte krenari për një vepër intelektuale kaq monumentale, ai më tha:
“Gerhard, kush do t’i lexojë të gjitha këto?”
Disi i zënë ngushtë, iu përgjigja:
“Shenjtëri, nuk e di, por e di kush i ka shkruar.”
Botimi i plotë i veprës së tij teologjike, i dalluar nga dokumentet papnore, nuk ka për qëllim të frikësojë apo të dekurajojë lexuesin. Teologjia e tij është dhuratë për mbarë Kishën, edhe për brezat e ardhshëm. Secili është i lirë të marrë prej saj sipas interesave të veta shpirtërore, teologjike, filozofike apo kulturore, të vjetra apo të reja.
Dikush mund të përqendrohet në predikimet e tij gjatë vitit liturgjik. Një tjetër mund t’u kthehet vëllimeve mbi Koncilin II të Vatikanit, ku ai ishte këshilltar i rëndësishëm dhe më pas interpretues autoritativ. Dikush tjetër mund të studiojë vëllimin e tij mbi mësimin e Shën Augustinit për Kishën si populli dhe shtëpia e Hyjit. Por nëse një i krishterë, i shqetësuar dhe në kërkim të besimit, do më pyeste çfarë duhet të lexojë mbi të gjitha, do t’i rekomandoja tre vëllimet Jezusi i Nazaretit.
Fakti që ai e botoi këtë vepër me emrin e tij personal, për të dalluar autoritetin teologjik nga ai papnor, shpreh edhe kuptimin më të thellë të primatit papnor. Sepse çdo Papë, si pasardhës i Pjetrit, duhet të kuptojë se detyra më e shenjtë e tij është ta bashkojë mbarë Kishën, me të gjithë ipeshkvijtë dhe besimtarët, në rrëfimin e Princit të Apostujve, i cili i tha Jezusit:
“Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!” (Mt 16,16).
Këtu vendoset edhe e ardhmja e botës dhe e Kishës. Që nga Iluminizmi, ka lindur konflikti midis fesë dhe arsyes. Shpesh është dukur sikur kërkimi historiko-kritik biblik, epistemologjia filozofike dhe madje, sidomos në çështjet e origjinës së universit dhe të jetës, besimi në Hyjin Krijues dhe në Jezu Krishtin, Shpëtimtarin e vetëm, janë në kundërshtim. Në të vërtetë, nuk ka asnjë kundërshtim me të Vërtetën e zbuluar mbi botën dhe njeriun, edhe pse feja nuk ka nevojë të vërtetohet nga përfundimet gjithmonë të gabueshme të shkencës empirike.
Feja mbështetet në Fjalën e Hyjit, nëpërmjet së cilës gjithçka që ekziston ka ardhur në qenësi. Meqenëse Jezusi, Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë, është vetë e Vërteta në Personin e Tij hyjnor, njohja jonë e Hyjit në Shpirtin Shenjt është e pagabueshme dhe nuk mund të vihet në dyshim nga një dije thjesht tokësore.
Detyra e teologëve është të tregojnë unitetin e thellë ndërmjet fesë së zbuluar dhe dijes bashkëkohore, ashtu siç shprehet në teori. Sepse ne duhet të jemi gjithmonë gati t’i japim një përgjigje të arsyeshme kujtdo që na pyet për shpresën që është në ne (krh. 1 Pjt 3,15). Biri i Hyjit është Logos-i hyjnor, Fjala e Hyjit, që nuk gabon kurrë dhe nuk çon kurrë në humbje.
Jozef Ratzinger na ka kujtuar vazhdimisht se krishterimi, me të gjitha arritjet e tij të mëdha kulturore në mësimin shoqëror, muzikë dhe art, letërsi dhe filozofi, nuk është një teori apo një botëkuptim, por një takim me një person. Jezusi është e Vërteta në personin e Tij hyjnor, drita që ndriçon çdo njeri. Kushdo që është i së vërtetës, e dëgjon zërin e Tij.
Po çfarë është Kisha? Ajo nuk është organizatë njerëzore me program të madh etik dhe shoqëror. Kisha e Krishtit është bashkësia e nxënësve të Tij, që thonë për veten dhe dëshmojnë para botës:
“Ne pamë lavdinë e Tij, lavdinë si të Birit të vetëm prej Atit, plot hir e të vërtetë”(Gjn 1,14).

Jozef Ratzinger, teolog, ipeshkëv, kardinal dhe papë, nuk është larg nesh. Liturgjia jonë tokësore i përgjigjet liturgjisë qiellore, ku ai është i bashkuar me ne në adhurimin dhe lavdërimin e Hyjit, duke e dashur dhe duke e lavdëruar Atë për amshim. Amen.

© Udhekryqi
—-
(*) Kardinali Gerhard Ludwig Müller (lindur më 31 dhjetor 1947) është një kardinal gjerman i Kishës Katolike, i njohur si Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë (2012–2017), i emëruar nga Papa Benedikti XVI. Një teolog konservator, ai u bë kardinal në 2014 nga Papa Françesku.

Më shumë artikuj

Lajmet lokale