16 nëntor 2025
Ti, o Zot, je shpresa ime (Ps 71, 5)
1. «Ti, o Zot, je shpresa ime» (Ps 71, 5).
Në çastet e sprovës, shpresën tonë e gjallëron siguria e qetë dhe ngushëlluese e dashurisë së Zotit, që është derdhur në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt. Prandaj ajo nuk zhgënjen (krh. Rom 5, 5). Prandaj Shën Pali mund t’i shkruajë Timoteut: «Prandaj vuajmë dhe luftojmë, pse shpresojmë në Hyjin e gjallë që është Shëlbuesi i të gjithëve, sidomos i besimtarëve » (1 Tim 4, 10). Zoti i gjallë është, në të vërtetë, «Hyji i shpresës» (Rom 15, 13), i cili në Krishtin, me vdekjen dhe ringjalljen e vet, është bërë «shpresa jonë» (1 Tim 1, 1). Nuk duhet harruar se në këtë shpresë jemi shpëtuar dhe në të duhet të qëndrojmë të ankoruar.2. Të varfërit mund të bëhen dëshmitarë të një shprese të fortë dhe të qëndrueshme
pikërisht sepse e shprehin atë në rrethana jetësore të vështira – në mungesë, brishtësi dhe margjinalizim. Ata nuk mbështeten në sigurinë që jep fuqia apo pasuria; këto janë, përkundrazi, shpesh shkaku i vuajtjeve të tyre dhe jo rrallë, të varfërit janë viktimat e tyre. Shpresa e tyre mbështetet mbi diçka tjetër: mbi Zotin. Duke pranuar se Ai është shpresa jonë e parë dhe e vetme, ne kalojmë nga shpresat kalimtare tek shpresa e përhershme. Dhe, të shtyrë nga dëshira për ta pasur Zotin si shoqërues të udhës sonë, pasuria bëhet më pak e rëndësishme, sepse zbulojmë thesarin e vërtetë që na është vërtet i nevojshëm. Fjalët me të cilat Zoti Jezus paralajmëron dishepujt janë të qarta dhe të prerë:
«Mos grumbulloni për vete thesar në qiell, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin. Mblidhni për vete visare në qiell ku s’ brejnë as tenja as ndryshku e ku vjedhësit nuk birojnë mure as nuk vjedhin» (Mt 6, 19-20).
3.Varfëria më e rëndë është mosnjohja e Zotit.
Këtu qëndron vetëdija themelore dhe krejt origjinale se thesari ynë i vërtetë gjendet tek Zoti. Apostulli Gjon nënvizon: «Nëse dikush thotë: “Unë e dua Zotin”, e urren vëllain e vet, është gënjeshtar; sepse ai që nuk e do vëllain e vet që e sheh, s’mund ta dojë Zotin që nuk e sheh» (1 Gjn 4, 20).
Ky është rregulli i fesë dhe sekreti i shpresës: të mirat e kësaj bote, gjërat materiale, kënaqësitë tokësore, mirëqenia ekonomike – sado të rëndësishme të jenë – nuk mjaftojnë për ta bërë të lumtur zemrën e njeriut. Pasuritë shpesh janë mashtruese dhe çojnë në forma dramatike varfërie, dhe ndër to më e rënda është bindja se nuk kemi nevojë për Zotin dhe se mund të jetojmë të pavarur prej Tij. Më kujtohen fjalët e shën Augustinit: «Vër gjithë shpresën tënde në Zotin, ndie nevojën për Të që Ai të të mbushë; sepse pa Të, çdo gjë që ke dhe zotëron do të të bëjë vetëm më bosh» (Koment mbi Psalmet, Ps 85, 3).4.Shpresa e krishterë, për të cilën flet Fjala e Zotit, është siguri në udhën e jetës
sepse nuk varet nga forca njerëzore, por nga premtimi i Zotit që është gjithmonë besnik. Që në fillimet e krishterimit, shenja e shpresës ishte spiranca, që jep qëndrueshmëri dhe siguri. Shpresa e krishterë është si spiranca që zemrën tonë e lidh fort pas premtimit të Zotit Jezu Krisht, i cili na ka shpëtuar me vdekjen dhe ringjalljen e vet dhe që do të vijë përsëri ndër ne. Kjo shpresë vazhdon të na tregojë horizontin e vërtetë të jetës: «qiellin e ri» dhe «tokën e re» (2 Pjt 3, 13), ku jeta e çdo krijese do të gjejë kuptimin e vet të plotë, sepse atdheu ynë i vërtetë është në qiell (krh. Fil 3, 20).
Qyteti i Hyjit, për këtë arsye, na vendos përpara detyrimit për t’u kujdesur për qytetet e njerëzimit. Këto duhet të fillojnë t’i ngjajnë atij që tani. Shpresa, e mbështetur nga dashuria e Zotit e derdhur në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt (krh. Rom 5, 5), e shndërron zemrën njerëzore në tokë pjellore ku lulëzon dashuria për jetën e botës. Tradita e Kishës pohon vazhdimisht këtë lidhje të thellë midis tri virtyteve hyjnore: fesë, shpresës dhe dashurisë. Shpresa lind nga feja, forcohet prej saj dhe mbështetet mbi dashurinë, që është nëna e të gjitha virtyteve. Dashuria është ajo që na duhet sot, tani: jo premtim, por realitet që e shohim me gëzim dhe përgjegjësi, sepse ajo na udhëheq drejt së mirës së përbashkët. Ai që nuk ka dashuri, jo vetëm që nuk ka fe e shpresë, por ia mohon shpresën edhe të afërmit.
5. Thirrja biblike për shpresë ecën dorë për dore me përgjegjësinë për ta jetuar atë në histori, pa vonesë
Dashuria, në të vërtetë, «është urdhërim i madh shoqëror» (Katekizmi i Kishës Katolike, 1889). Varfëria ka shkaqe strukturore, të cilat duhet njohur dhe mposhtur. Ndërkohë, të gjithë jemi të thirrur të ofrojmë shenja të reja shprese që dëshmojnë dashurinë e krishterë, ashtu siç kanë bërë shumë shenjtër në çdo kohë. Spitalet dhe shkollat, për shembull, janë institucione që linden për të mbështetur më të dobëtit dhe të përjashtuarit. Ato duhej të ishin pjesë e politikave publike të çdo vendi, por luftërat dhe pabarazitë shpesh e pengojnë këtë.
Sot, shenja të shpresës janë gjithnjë e më shumë shtëpitë e familjeve, qendrat për kujdesin e të miturve, këshilloret dhe strehëzat, kuzhinat e bamirësisë, shkollat popullore – ka shumë shembuj që ndoshta nuk i vëmë re, por që janë tejet të rëndësishëm për të shuar indiferencën dhe për të nxitur përkushtimin në forma të ndryshme të veprimtarisë vullnetare.
Të varfërit për Kishën nuk janë diçka dytësore, por vëllezërit dhe motrat e saj më të dashur, sepse secili prej tyre, me jetën, fjalën dhe mençurinë që mishëron, na nxit të prekim konkretisht të vërtetën e Ungjillit. Prandaj Dita Botërore e të Varfërve dëshiron t’u kujtojë bashkësive tona se të varfërit janë në qendër të gjithë veprimtarisë baritore – jo vetëm në aspektin e bamirësisë, por edhe në atë që Kisha kremton dhe shpall. Zoti mori mbi vete varfërinë e tyre për të na pasuruar me zërat, historitë dhe fytyrat e tyre. Çdo formë varfërie, pa përjashtim, është një thirrje për ta jetuar Ungjillin konkretisht dhe për të dhënë shenja vepruese shprese.
6. Ky është një thirrje që vjen nga kremtimi i Jubileut
Nuk është rastësi që Dita Botërore e të Varfërve kremtohet në përfundim të këtij viti hiri. Kur të mbyllen Dyert e Shenjta, do të duhet të ruajmë dhe të ndajmë dhuratat e Zotit që kemi marrë gjatë gjithë këtij viti lutjeje, pendese dhe dëshmie. Të varfërit nuk janë objekte të kujdesit tonë baritor, por subjekte krijuese që na nxisin të gjejmë forma të reja për ta jetuar Ungjillin sot.
Përballë valëve gjithnjë të reja të varfërisë, ekziston rreziku të mësohemi me to dhe t’i pranojmë si diçka të zakonshme. Çdo ditë ndeshim njerëz të varfër ose të bërë të varfër, dhe ndonjëherë edhe ne vetë mund të përjetojmë mungesa: humbjen e banesës, të ushqimit të mjaftueshëm, të kujdesit shëndetësor, të arsimimit të denjë, madje edhe të lirisë fetare dhe të shprehjes.
Duke promovuar të mirën e përbashkët, përgjegjësia jonë shoqërore mbështetet mbi aktin krijues të Zotit, i cili i ka dhënë të mirat e tokës për të gjithë: si ajo, ashtu edhe frytet e punës njerëzore duhet të jenë të arritshme për të gjithë. Ndihma ndaj të varfërve, para se të jetë çështje drejtësie, është çështje dashurie. Siç vëren shën Augustini: «Ti i jep bukë të uriturit, por më mirë do të ishte që askush të mos ishte i uritur, edhe pse atëherë s’do të kishte askënd për t’i dhënë bukë. Ti e vesh të zhveshurin, por më mirë do të ishte që të gjithë të kishin rroba e të mos kishte mungesë» (Koment mbi 1 Gjn, VIII, 5).
Prandaj uroj që ky Vit Jubilar të nxisë zhvillimin e politikave për luftimin e formave të vjetra dhe të reja të varfërisë, si edhe nisma të reja për mbështetjen e më të varfërve ndër të varfër. Puna, arsimi, banesa, shëndeti – janë parakushte të sigurisë që nuk mund të arrihet kurrë me armë. Përgëzoj për nismat dhe përpjekjet e shumta që burra e gra me vullnet të mirë zhvillojnë çdo ditë në mbarë botën.
T’i besojmë veten Shën Marisë së Shenjtë, Ngushëlluese e të trishtuarve, dhe bashkë me të të ngrejmë këngën e shpresës, me fjalët e himnit Te Deum:
Në Ty, o Zot, kam vënë shpresën time: mos më lër të turpërohem kurrë përjetë!».
Nga Vatikani, më 13 qershor 2025,
PAPA LEONI XIV
