Fjala e presidentit Prof. Dr. Fatmir Sejdiu *
President i Republikës së Kosovës (2006-2010)
Akademi Shkencore “Ditët e Nënës Terezë”
Pullë, 18 nëntor 2024
I nderuari Don Albert Jakaj,
Të nderuar përfaqësues të Bashkësisë Shqiptare në Prefekturën e Istrës,
Të nderuar përfaqësues të tjerë të Misioni Katolik Shqiptar “Nëna Terëzë” në Rijekë,
Të dashur bashkëkombas dhe qytetarë të këtij qyteti historik të Epulonit
Zonja e zotërinj,
Ndihem i nderuar që sot mund t’ju drejtohem në Akademinë Shkencore “Ditët e Nënës Terezë” këtu në Pulë, organizuar nga Bashkësia Shqiptare në Prefekturën e Istrës dhe Misioni Katolik Shqiptar “Nëna Terëzë” në Rjekë. Na bëri bashkë vepra e madhe humane e Bijës Sonë, Nanës së Botës, Shën Nana Terezë.
E shenjta Nana Terezë, me mirësinë e saj, u bë ndër gratë më të njohura dhe më të admiruara në botë në shek. XX. Nuk pushoi të punojë e shërbejë në përkushtmin e saj humanitar dhe hyjnor, të marrë respektin e të dhurojë mëshirën për secilin njeri, për gjithë njerëzimin.
Prandaj, ajo na thotë: „Unë i shoh qeniet njerëzore si fëmijë të Zotit, me të drejtën për të jetuar në dashuri, paqe dhe harmoni.“
Duke parë këtë dhurim rrezatues global të mirësisë për të gjithë njerëzit, pa dallim race, kombi e besimi, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Javier Perez de Cuellar, do thotë: “Nana Terezë është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqja në botë.”
Pra, ajo ishte fryma e shërimit dhe pajtimit. Kur e dinte se vuante një fëmijë a nevojtar, kërkonte udhë deri në skaj të botës për të ndihmuar dhe ndarë dhimbjen e dashurinë. Po kujtoj, se në vitin 1982, Nanë Tereza, në një kohë dramatike udhëtoi në Bejrut për të ndihmuar viktimat e luftës civile në Liban., ndërsa po në këtë kohë kur edhe në Etiopi ra zija bukës, ajo vetëm me një telefonatë në Administratën e presidentit Regan, bëri që urgjentisht SHBA të dërgojë në këto vende 64 milionë dollarë ndihmë ushqimore. Këtë nuk do të mund ta bënte askush tjetër, pos vlerësimi dhe besimi që kishte fituar Shën Nëna Terezë tek të varfrit dhe të pasurit, tek të famshmit dhe të gjitha shtresat e sociale. Ajo këtë e bëri edhe në Shqipërinë e porsadalë nga regjimi komunist duke hapë qendrën e bamirësisë për nevojtarët e shumtë.
Nana Terezë donte dhe kërkonte gjithmonë të bëhej më shumë: “Ne vetë ndjejmë se kjo që po bëjmë është vetëm një pikë në oqean”. „Por, nëse ajo pikë nuk do të ishte në oqean, unë mendoj se oqeani do të jetë më i vogël për shkak të asaj pike që mungon.”
Dua të theksoj edhe një vlerësim që iu dha Nanës Terezë nga John Sannes, kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit, në ceremoninë ndarjes së Çmimit për Paqe, në Oslo, më 10 dhjetorit 1979: “Shenja dalluese e punës saj ka qenë respekti për vlerën dhe dinjitetin e individit. Për të vetmuarit dhe të mjerët, të varfrit që po vdesin, lebrozët e braktisur, të gjithë këta që janë pritur nga ajo dhe motrat e saj me dhembshuri të ngrohtë pa përbuzje, dhe këtë bazuar në Krishtin.”
Lutjet e saj janë shpresë. Bëri shumë lutje edhe për popullin e saj, tonin, shqiptar. “Une gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vij në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve”, i thotë Ajo imzot Dom Lush Gjergjit teksa po dilte nga solemniteti i pranimit të çmimit “Nobel”. E thotë e Shenjta Nana Terezë atë që ndjeu gjithnjë, frymën e ngrohtë që ia dhuroi familja e saj, e motivuar nga vlerat më fisnike, humane dhe etike. Ajo frymë dhe vatër e ngrohtë ku lindi e përcolli gjithë jetën, edhe kur në moshën 18-vjeçare, largohet nga familja e saj për të hyrë në familjen e madhe të dashurisë, në urdhër të shenjtë duke nisur në Kongregacioni i Motrave të Lorettos, në shtetin indian të Bengalit.
Nëna Terezë e fitoi çmimin Nobel për Paqe më 1979, por më parë ajo kishte fituar një çmim shumë më të madh, kishte fituar adhurimin, dashurinë, kishte fituar nderimin e përhershëm të njerëzve pa dallim kombi, race e besimi. Prandaj, themi se ajo është njësoj e të gjithëve, e krishterëve dhe e myslimanëve, e të varfërve dhe të pasurve. Ajo është shembulli më i shkëlqyeshëm i thjeshtësisë e pastërtisë. Nuk ishte rastësi që për dy vjet radhazi, në gjithë globin, u shpall „Gruaja më e admiruar“ nga revista Good Housekeeping/1992/dhe pastaj edhe „Njeriu më i famshëm në botë“.
Po me këtë rast po përmend edhe mirënjohjet tjera që ajo mori: Çmimi “Pamada Shir” (1962), mirënjohja më e madhe kombëtare indiane, Çmimi “Papa Gjoni XXIII për Paqe” (1971), mirënjohja e parë e madhe nga Kisha Katolike, e cila iu dha nga vetë Papa Pali VI, Çmimi “Gjon Kenedi” (1971), Çmimi “Nehru”, Çmimi “Nëna e të gjitha nënave” (1973), Çmimi “Medalja e Lirisë” (1985), i cili iu dha nga vetë Presidenti amerikan Ronald Regan etj..
Vlerësime të këtilla, të cilat shprehin konsideratat më të larta për Nënën Terezë kanë dhënë personalitet më të shquara të kohës, si Papa Gjon Pali II, Presidenti amerikan Bill Klinton, Kryeministri britanik Toni Bler, Presidenti Italian Sandro Pertini, Presidenti frances Zhak Shirak etj.
Më 28 tetor 1996, Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova e shpalli Nanën Terezë “Qytetare e Nderit e Republikës së Kosovës”, ndërsa në të njëjtin vit, Presidenti i Shqipërisë dr. Sali Berisha e nderoi Nënën Terezë me “Urdhrin e Artë të Popullit Shqiptar”.
Kam menduar shpesh, duke qenë afër presidentit Rugova, por sot edhe gjykoj se ai dhe Nana Terezë kishin vlera të njëjta, gjithë ato vlera që i bënë personalitetet më të famshme edhe ndër shqiptarë. Ishin kundër dhunës, luftërave, shtypjeve, pabarazisë. Ishin për harmoninë, tolerancën dhe paqen njerëzore. Ishin për lirinë dhe humanizmin. Këto vlera neve shqiptarëve na hapën dyert ngado në botë në vitet 1990, për të fituar mbështetjen dhe adhurimin e rezistencës aktive politike për liri dhe pavarësi. Mendoj, se në këtë proces qëndrueshmërie, Shën Nana Terezë dhe Presidenti Rugova, janë më të merituarit.
Ajo na frymëzo se duhej mirësia dhe paqja njerëzit, duhet bërë miq dhe dashamirë kudo në botë, për të ndërkombëtarizuar të drejtën për liri dhe paqe. Mund të them me plot zërin, se Presidenti historik Ibrahim Rugova, Nënën Terezë e kishte idhull, mësuese, e kishe udhërrëfyese dhe motivuese dhe mori nga ajo durimin dhe sakrificën, konsistencën dhe punën, kujdesin për njeriun, prandaj nuk e ndali udhëtimin deri sa populli i Kosovës fitoi lirinë dhe pavarësinë sikur që Nana Tereze nuk e ndali përkushtimin deri në çastin e fundit për të bërë botën tonë më të mirë.
Duke i pasur parasysh të gjitha virtytet dhe cilësitë e rralla njerëzore, duke pasur parasysh veprën e saj të madhe jetësore, si dhe duke u mbështetur në përgjegjësitë dhe kompetencat që kisha si President i Republikës së Kosovës, shpalla vitin 2010, në Njëqindvjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, “Vit të Nënës Terezë”.
Katedralja e bukur në qendër të Prishtinës sot me krenari mban emrin e Shën Nana Terezë.
Do të flas pse e Shenjta Nana Terezë ishte ylli ynë në ato ato kohë dramatike. Sikur sot të ishte, më tingëllojnë fjalët e shpeshta që dëgjoja në vitet 1990 nga njerëz kudo në Kosovë. Nënat që thoshin: Djalin ma shëroi Nana Terezë. Burrat që thoshin: I mora ilaçet nga Nana Terezë. Gratë që falenderonin dhe tregonin: Linda fëmijët të shëndoshë te Nana Terezë. Nevojtarët që thoshin, gjithnjë me urim: I mora ushqimet dhe veshjet nga Nana Terezë.
Ju rrëfej edhe një përjetim personal. Në natën e fillimit të bombardimeve me 24 mars 1999, në një shtëpi afër nesh, po qëndronin dhjetëra refugjatë, sikur edhe në shtëpinë tonë, në mesin e tyre edhe një nuse shtatzanë, që duhejt të lindte për herë të parë. Nusja shtatzanë kishte ardhur ditë më herët nga Letanci i Podujeves. Ndërkohë që filloi bombardimi, ajo ishte në dhimbjet e lindjes. Kishim vetëm një derë, të cilën e dinim të hapur. Ajo derë ishte e Spitalit-Ambulancë Nana Terezë, në Kodër të Trimave. Të nesërmen bashkë më gëzimin që ndjenim me goditjen e forcave serbe nga NATO, kishim edhe gëzimin e lindjes së Kastriotit. Sot ai djalë është basketbollist dhe në përfundim të studimeve.
Do të përkujtoj edhe një dimension praktik të punës që lidhet me emrin e të Shenjtës Nana Terezë: Nga marsi 1992 deri në marsin 1999, në Shoqatën ”Nana Terezë” shërbime shëndetësore morën: 2.784.914 vizita mjekësore, 1.5554.999 injeksione,139.546 përpunime të plagëve dhe 11.886 infuzione. Kjo është historia e vërtetë e humanizmit që duhet ta na japë inspirim dhe këndellje edhe sot, kur punët nuk shkojnë mirë në shëndetësi dhe në humanizëm.
Do më lejohet që në këtë ditë të shënuar të shpreh nderimin e thellë ndaj grupit të humanistëve, klerikëve dhe intelektualëve si imzot Nik Prela, Don Lush Gjergji, don Zef Gashi, imzot Dod Gjergji, Dr. Gani Demolli, Jak Mita dhe shumë e shumë të tjerëve që krijuan Shoqatën Famëmadhe “Nëna Terezë”.
Nana Terezë, me lot në sy, më 4 maj 1990, një delegacioni të klerikëve shqiptarë në krye me imzot Nik Prelen, kur dëgjoi lajmin për pajtimin e gjaqeve dhe aksionin për ndihma, i tha: “O zoti im, kjo vërtet është mrekulli, populli im shqiptar po pajtohet…”. Po kështu duke qenë në këtë ambient të respektit dhe vlerësimit, do të thosha se një nga degët shumë aktive për grumbullimin e ndihmave për Kosovën në ato vite ishte edhe Dega e Nanës Terezë në Kroaci.
Sa modeste dhe njerëzore ishte po i referohem gazetarit të njohur Albert Schëeitzer: “Nëna Terezë më punën e saj në shek. XX u bë një yll global mediatik, por zakonisht kur gazetarët i qaseshin për bisedë a storje për te, ajo u përgjigjej: “Do të flisja më mirë për punën tonë se sa për vete.”
Ne sot kemi një festë më shumë, 5 shtatorin ditën kur u shpall e shenjtë Nana Terezë. Kur vepra e saj u përjetësua dhe ajo u bë një pjesë e qenësishme e përjetësisë sonë humane dhe hyjnore.
Prandaj, jemi të bekuar që e Shenjta Nana Terezë është bijë e popullit tonë shqiptar. Bota na njeh dhe do t’ na njeh më mirë nëpërmjet rrezatimit madhështor të veprës dhe mësimeve të saj: Si të jemi të urtë dhe tolerant, si të duam më shumë botën e sotme të diversiteteve dhe të kundërthënieve, si të mbajmë të gjalla vlerat më të mira që u krijuan nga paraardhësit, përfshirë mërsinë, durimin, bamirësinë, solidaritetin, besimin në Zot dhe Familje, dashurinë për njëri-tjetrin, mëshirën, lutjen, faljen e pajtimin, paqen.
Po e mbyll fjalën me sentencën e të Shenjtës Nana e Madhe Terezë: Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen botërore? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde. Dhe: Në botë ka më shumë uri për dashuri dhe respekt se sa për bukë.
Ju falemnderit!
* Prof. Dr. Fatmir Sejdiu, President (në vitet 2006-2010) i pasuar nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova dhe shpalles i Pavarësisë së Kosovës.
